Nuk ka “Schengen të vogël” pa perspektivë të paqes dhe fqinjësisë së mirë, ndërsa pranimi i realitetit të pavarësisë së Kosovës është hapi i parë në atë drejtim.
Kështu ka thënë historiani serb i gjeneratës së re, Milivoj Beshlin, në një intervistë dhënë gazetës malazeze “Vikend Novine”, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Do të ishte fakt pozitiv nëse Ballkani Perëndimor do të ishte në gjendje që vetë të formulonte përgjigje kreative dhe racionale për problemet dhe frenimet në procesin e integrimeve evropiane. Humbja e perspektivës evropiane është një lëvizje me rrezik të lartë që është rrjedhë logjike e vendimit që Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë të mos iu lejohet nisja e negociatave për anëtarësim” ka thënë Beshlin në një intervistë, siç përcjell portal cdm.me.
“Ideja e lëvizjes së lirë të njerëzve është vlerë themelore evropiane dhe iniciativa për ‘Schengenin e vogël’ në këtë kuptim është hap në drejtim të mirë. Por nuk bën të anashkalojmë kontekstin në të cilin kjo iniciativë vjen dhe atë që ajo propozon. Mbetet kundërthënëse sesi Aleksandar Vuçiq mundet njëkohësisht të promovojë idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe fqinjësisë së mirë me Edi Ramën, e që në mediat ashpër dhe brutalisht të kontrolluara beogradase të bëhet një fushatë e paparë raciste kundër popullit shqiptar dhe gjithçkasë që vjen nga Kosova”, shtoi ai.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)