Kalimi i pragut nga koalicioni NISMA-AKR-PD ka vështirësuar punët koalicionit VV-LDK për formimin e Qeverisë së re, kjo pasi nuk po mund të arrin numrin e deputetëve për ta votuar Qeverinë në Kuvend, transmeton Gazeta Metro.
Për këtë koalicionit VV-LDK i nevojiten edhe një parti për ta formuar Qeverinë , pasi tani ka vetëm 57 deputetë të cilët janë të pamjaftueshëm për formimin e Qeverisë.
Por, nga AKR’ja po thojnë se nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje e cila doli fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se lidhur me koalicionin do të vendosin duke llogaritur fillimisht interesin e shtetit.
“Ky proces i rinumërimit i ka stopuar si duket edhe bisedimet për marrëveshje rreth formimit të qeverisë edhe dy partitë fituese, VV-në dhe LDK-në, andaj edhe ne ende nuk kemi menduar rreth përfshirjes apo mospërfshirjes sonë në koalicionin qeverisës. Ju e dini se ne kemi garuar në këto zgjedhje në koalicion edhe me dy parti tjera, andaj edhe veprimet në të ardhmen do të jenë të menduara, të planifikuara dhe të sinkronizuara së bashku”, ka thënë ai.
Gjuhën e cila po mbretëron ndërmjet subjekteve politike, Makolli e ka quajtur të dëmshme. Ai ka bërë thirrje që partitë t’i respektojnë rregullat e demokracisë dhe verdiktin e sovranit.
“Ne jemi parti liberale demokratike dhe i respektojmë mendimet dhe sugjerimet e çdo njërit anëtar, por vendimet merren në organet gjegjëse të partisë, duke respektuar rregullat demokratike dhe duke pas parasysh në rend të parë interesat shtetërore. Kakofonia që po mbretëron në mes të subjekteve politike është shumë e dëmshme, andaj si asnjëherë më parë, subjektet tona politike duhet që t’i respektojnë rregullat e demokracisë dhe verdiktin e sovranit, duke marrë vendime që kishin me qenë ekskluzivisht në interes të shtetit dhe popullit”, ka thënë ai.