Numri i fëmijëve të braktisur ka rënë, Kosovës i mungon një strehimore shtetërore.
Rastet kur prindërit në rrethana të ndryshme heqin dorë nga kujdesi ndaj fëmijëve të tyre, po rrallohen.
Numri i fëmijëve të braktisur çdo vit po shkon duke u zvogëluar.
Në vitin 2018 ishin shënuar 28 raste nderkaq nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 22 raste.
Sipas të dhënave që posedon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, del se numri i fëmijëve të braktisur çdo vit po shkon duke u zvogëluar.
“Në vitin 2014, janë evidentuar 41 raste, në vitin 2015, 43 raste, në vitin 2016, 36 raste, në vitin 2017, 34 raste, në vitin 2018, 28 raste dhe nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 22 raste”, Besnik Peci, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas Pecit strehimi i këtyre fëmijëve është një formë alternative e mbrojtjes së përkohshme dhe afatshkurtër për fëmijët e kësaj kategorie.
E në Kosovë nga periudha e pasluftës nuk është ndërtuar dhe rindërtuar asnjë jetimore, kështu është dashur partneritet me sektorin jo qeveritar si me SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Shpresa dhe Shtëpi për fëmijët, transmeton Express.
Udhëheqësi i kujdesit alternativ për fëmijët tregon se çfarë trajtimi kanë fëmijët deri në 18 vjeç në këto strehimore.
Aktualisht në Fshatin Sos janë të strehuar 60 fëmijë, të cilët marrin të gjitha shërbimet që i mundësojnë atyre fëmijëve të rritën në mënyrë të mirëfilltë si të gjithë fëmijët e tjerë.
E drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, tha se në repartin e tyre ka foshnje të cilat prindërit i braktisin ditën që i lindin dhe foshnje që policia së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale i dërgojnë nga tereni.
Sipas tij, prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos i braktisin fëmijët e tyre.