Zv/ ministrja e Brendshme Rovena Voda u shpreh në një prononcim për Report Tv se pas shpëtimit të 17-vjeçarit vijon operacioni për shpëtimin edhe të pesë personave të tjerë të familjes që ndodhen nën rrënoja. Ajo tha se do të punohet edhe natën me gjeneratorë për të mos e ndalur operacionin e kërkim shpëtimit.
“Brenda janë familjarë të tjerë, pesë. Plani që kemi pas nxjerrjes së djalit është të pastrojmë zonën, të krijojmë një perimetër sigurie, për të hequr inertet e mëdha për të nxjerrë familjarët e tjerë. Ne shpresojmë që të jenë gjallë, megjithëse nuk kemi reagim. I vetmi komunikim që kemi pasur ka qenë me djalin 17-vjeçar, me të tjerët jo, por nuk humbasim shpresën për të ndërhyrë. Djali është vetëm dëshmitari i gjallë i situatës.
Më pas do të kërkojmë më shumë informacion nga djali. Do të mundohemi që të vijojnë kërkimet për pesë familjarët e tjerë. Është hapur stadiumi në Durrës, që qytetarët të jenë brenda dhe kemi shpërndarë ujë dhe ushqim për njerëzit. Ju lutem shmangni qëndrimin në banesë, cadrat janë ngritur, stadiumi dhe palestrat janë të hapura. Do të ketë gjeneratorë aty ku duhet ndriçimi për të punuar edhe në mbrëmje” tha ajo.