Mëngjesin e ditës së djeshme shqiptarët u zgjuan nga një ndjesi e papërshkrueshme frike, për shkak se lëkundje të forta tërmeti lëkundën vendin që në orët e para të mëngjesit.
Lëkundjet janë ndjerë më së shumti në Qarkun e Durrësit dhe kanë shkaktuar dëme të tmerrshme.
Në një lidhje direkte nga Durrësi për edicionin e lajmeve në RTV Dukagjini, qytetarja Debora Bakiasi ka folur rreth momenteve të vështira që po kalojnë banorët e këtyre zonave.
Qytetarja është shprehur se Durrësi, përpos humbjes së madhe në njerëz që i ka prekur padyshim të gjithë, ka një dëm të madh nga ana materiale.
Siç ka treguar ajo, një pjesë e mirë e banorëve kanë ikur në qytete tjera, ndërsa të tjerë që s’kanë pasur mundësi janë vendosur në stadium. Bakiasi është shprehur shumë falenderuese ndaj Kosovës për të gjithë ndihmën e ofruar.
‘Ne jemi një shtet, dihet. Por Kosova ka bërë çmos që ne ta kalojmë situatën. Madje kanë bërë më shumë se vet shteti ynë’, u shpreh ajo.