“Hetim nga fillimi për rastin Dehari”

Prishtinë, 24 nëntor – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka kërkuar fillimin e hetimeve nga e para për rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj lëvizje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të jetë një hetim i drejtë dhe i pavarur.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Selimi ka vlerësuar se hetim të pavarur nuk mund të garantojë pushteti që, sipas tij, është shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit.

“Vetëm fillimi i hetimeve nga e para mund të jetë nismë për një hetim të drejtë dhe të pavarur. Refuzimi nga ana e hetuesve të Mbretërisë së Bashkuar, që të përfshihen në atë që ka kërkuar Ministria e Drejtësisë, është tregues i mjaftueshëm që edhe ata vetë nuk e kanë gjetur veten të përfshirë në atë çfarë synonte të bënte Ministria e Drejtësisë. Prandaj, nuk mund të vihet drejtësia në vend me ndërmjetësimin e palës përgjegjëse”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se LV-ja e ka kundërshtuar hetimin nga britanikët vetëm pse një gjë të tillë e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, që, sipas tij, do të duhej të ofronte dorëheqje. Të njëjtin veprim, ka thënë ai, do të duhej ta bënte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Në këtë kontekst, Selimi ka bërë me dije se nuk është i mjaftueshme vetëm suspendimi i zyrtarëve korrektues dhe menaxhues të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. “Përgjegjësia për rastin e vdekjes së Astritit do të duhej të qëndronte aty ku është (lart) e jo të tentohet të zbritet në nivele të ulëta, i kufizuar vetëm në menaxhmentin e Burgut në Prizren. Përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit mbetet pushteti që e mori në pranga dhe e ktheu në arkivol. Pra, kjo përgjegjësi do të duhej të manifestohej me dorëheqjet e përgjegjësve që janë ministrja e Drejtësisë dhe ministri i Punëve të Brendshme”, është shprehur Selimi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme