Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott nënshkruan sot marrëveshjen e partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ambasadori Abbott ka komentuar situatën politike në vend, për të cilën tha se Kosova po shkon drejt përfundimit të procesit zgjedhor dhe formimit të Qeverisë së re dhe shpreson se ky proces nuk do të marrë shumë kohë.
“Po shkojmë kah fundi i procesit zgjedhor ne Kosovë dhe duke respektuar për të parë formimin e qeverise së re shumë shpejt, në Mbretërinë e Bashkuar i kemi zgjedhjet javën tjetër të enjten, dhe po shpresoj se nuk do të merr shumë formimi i qeverisë”, tha Abbott.
Ndërsa, ministri Shala deklaroi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për Kosovën, teksa shtoi se bashkëpunimi i mirë me Britaninë e Madhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ministri Shala theksoi se kjo marrëveshje, përveç aspektit ekonomik, fuqizon lidhjet politike dhe afirmon shtetësinë e Kosovës.
“Ky është edhe një hap para që Republika e Kosovës së bashku me Mbretërinë e Bashkuar arrin që edhe në të ardhmen, marrëdhëniet tona ekonomike tregtare do të vazhdojnë të jenë ashtu siç kanë qenë në marrëveshjen që ka ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje nuk e prek vetëm karakterin ekonomik dhe tregtare, njëkohësisht forcon lidhjen politike ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht kjo marrëveshje e afirmon shtetësinë e Kosovës, territorin e doganor të Republikës së Kosovës”, tha Shala, raporton kp.
Ndërsa, ambasadori Abbott u shpreh I lumtur që po nënshkruajnë këtë marrëveshje, sipas të cilit, është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Jam i lumtur që sot kemi nënshkruar këtë marrëveshje, është një hap i rëndësishëm. Pra, do të shihet rëndësia nëse do ta dalim nga Bashkimi Evropian. Ne kemi një marrëveshje me Kosovën, dhe është shumë me rëndësi të kemi këtë marrëdhënie”, deklaroi Abbott.
Ai tha se është e rëndësishme të theksohet se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi pas datës në të cilën marrëveshja BE-Kosovë pushon së zbatuari në Mbretërinë e Bashkuar (marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi Mbretëria e Bashkuar të dalë nga BE vitin e ardhshëm).