Vendi mund të rrëshqasë drejt një krize politike pas dështimit që të mbërrihet marrëveshja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. Edhe pse të martën nuk ka pasur ndonjë takim mes këtyre subjekteve, përfaqësues të tyre kanë polemizuar në distancë për shkaqet që pamundësuan arritjen e marrëveshjes.
Vetëvendosje e konsideron maksimaliste kërkesën e LDK-së që për postin e presidentit të mos japë si kundërpeshë asnjë ministri. Nëse LDK-ja e synon edhe postin e presidentit, për LVV-në resorët e Qeverisë nuk mund të ndahen pesë me pesë, por gjashtë me katër për LVV-në. Kjo është refuzuar nga ana e LDK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nëse Vetëvendosja nuk pajtohet që LDK-ja ta ketë postin e kryeparlamentarit dhe presidentin, kundëroferta e partisë që doli e dyta në zgjedhje është që kryeministri t’u mbetet atyre e pozitat e tjera VV-së. Këtë qëndrim e ka shpalosur të martën për mediet sërish nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.
“Ne kemi menduar që kryeparlamentari, presidenti dhe gjysma e ministrive me i taku LDK-së, pjesa tjetër, kryeministri me ministri me i taku VV-së, ose e kundërta. Nëse atyre iu duket shumë, mund të bëhet edhe e kundërta, ne e pranojmë edhe variantin e kundërt, kryeministri me qenë i yni e ndoshta edhe ndonjë ministri tepër ua kishim dhanë”, ka thënë Veliu.
Por për Vetëvendosjen kjo është e papranueshme.