Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Ai pret që edhe Shqipëria të veprojë njejtë, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka konfirmuar se ambasadorja Shkëndije Geci-Sherifi do ta bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit konstravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, i cili ka qenë mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit.
Deklaron se pret që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë njejtë.
“Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Unë konfirmoj se ambasadorja ynë Znj. Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit. Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme”, ka shkruar Pacolli.
Kështu ka vendosur ish-sekretari i përhershëm i Akademisë suedeze i cili vazhdon të jetë anëtar, Peter England, i cili nuk do të marrë fare pjesë në eventin e ndarjes së çmimin për shkrimtarin austriak përkrahës të Sllobodan Millosheviqit.
“Ta festojë çmimin Nobel për Peter Handken do të ishte një hipokrizi e madhe nga ana ime”, ka thënë England shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Handke dje gjatë ditës ka mbërritur në kryeqytetin suedez prej ku edhe ka mbajtur një konferencë për media me shumë përplasje.
Shkrimtari austriak ka sulmuar gazetarët e pranishëm në konferencë të cilët i kanë bërë pyetje lidhur me përkrahjen që i ka dhënë Sllobodan Millosheviqit dhe rreth asaj se pse në librat e tij nuk shkruan asnjëherë për gjenocidin serb në Bosnje.
Handke pyetjet e tilla i ka cilësuar si “injorante”, duke thënë se nuk dëshiron që të merret me këtë pjesë.
Ndryshe në rrjetet sociale ka filluar edhe një fushatë kundër Handkes. Dikush ka edituar logon e Nobelit, dhe ka shkruar “ Not in my name”./GazetaExpress/