Sot shënohen 29 vite nga Lëvizja Studentore e ’90-ës. Shumë e mbajnë mend natën e 8 dhjetorit 1990, kur rreth 300 studentë marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.
Marshimi i tyre ndaloi mes qytetit të tyre dhe bulevardit të Tiranës. Radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 persona.
Përkundër paraqitjes së forcave policore, studentët nuk u ndalën, duke bërë që Lëvizja Studentore në ditët në vijim të rritej.
Të nesërmen me 9 dhjetor, studentët i konfirmuan kërkesat presidentit të asaj kohe, Ramiz Alisë, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.
Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje, kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht sistemin komunist.
Ndonëse kanë kaluar 29 vite nga kjo lëvizje triumfuese, Shqipëria ndodhet sërish në krizë të thellë politike. Për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj krize, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kishte paralajmëruar një tubim të madh sot, por që u anulua pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, që gjunjëzoi vendin, me 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra ndërtesa të shkatërruara./Koha Jone