Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i LV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës
Por nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për presidentin, atëherë alternativa e vetme, sipas Haxhiut, është që vendi të shkojë në zgjedhje.
Madje, Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë. Sipas saj, nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.
Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi, sipas saj, të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do t’i takojnë ata do jenë llogaridhënës te kryeministri në ardhje, Albin Kurti.
Ndryshe, takimi i fundit që u zhvillua në mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, ka ndodhur më 2 dhjetor, ndërsa nga ajo ditë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër.Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit e ka bërë më 27 nëntor.