Kryeministri në ardhje Albin Kurti, ka thënë se shëndeti i qytetarëve të Kosovës do të jetë çështje primare dhe prioritet i politikës në Qeverinë e re.
Këto deklarata lideri i Vetëvendosjes, i dha sot në debatin e hapur nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, rreth sfidave për implementimin e sigurimeve shëndetësore, njofton Klan Kosova.
”Për Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, shëndeti i qytetarëve të vendit tonë do të jetë çështje primare, prioritet i politikave tona publike, dhe do të jetë zotim i yni që do të zbatohet duke bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore duke krijuar të gjitha mekanizmat shtetëror për zbatimin e tyre”.
”Për ne shëndeti nuk është mall i cili konsumohet, për ne shëndeti është vet jeta është vet njeriu. Të flasësh për shëndetin do të thotë të flasësh për njeriun. Të flasësh për qytetarin do të thotë të flasësh për atë për të cilën ekziston gjithë ajo Qeveri dhe gjithë ato institucione të sistemeve”.
”Jemi të indinjuar se si 20 vjet pas çlirimit e gati 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë ende nuk kemi sigurime shëndetësore. Jemi në një situatë paradoksale, ku në republikën tonë parlamentare demokratike, kemi sigurime për automjete të tana por nuk kemi për njerëzit në ato automjete. Kemi nevojë ta humanizojmë sistemin të kemi një shtet të orientuar nga njeriu e jo nga malli, gjësendet e jo nga materialja që duhet t’i shërbejë njeriut, e jo njeriu t’i shërbejë asaj”.
Kurti është shprehur se me ardhjen e Vetëvendosjes në krye të Qeverisë, për qytetarët e Kosovës është mundësi për tejkalimin e vështirësive.
”Jemi të bindur që më në fund po krijohet mundësia për tejkalimin e vështirësive. Sepse në Kosovë e keqja, korrupsioni nuk vjen nga dobësia e qytetarit por nga të fortit e politikës. Nuk vjen nga poshtë si demokracia por vjen nga lart si diktatura. Korrupsioni ka karakterin e diktaturës. Mirëpo më 6 tetor janë bërë ndryshime të mëdha politike në Kosovë të cilat do të kurorëzohen me një qeverisje të re”.
”E ku ka më mirë se këtë ta fillojmë me Shëndetësinë e cila është parakusht për të tjerat. Për çështjen e shëndetësisë, për sigurimet shëndetësore, ne kemi theksuar që është e rëndësishme hartimi profesional i protokolleve, i udhërrëfyesve klinikë dhe zyrtarizimi i tyre. Pastaj është ndryshim plotësimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore sepse në njërën anë edhe ka defekte pore dhe është ideal kohor”.
Para të pranishmëve, Albin Kurti theksoi puna për implementimin e sigurimve shëndetësore duhet të nis nga përgatitja për sistemin informative shëndetësor.
”Duhet të fillojë punën përgatitja për sistemin informativ shëndetësor, duke u bazuar në komponentët kryesore – protokollët mbi bazën e re të licencuar”.
”Nuk ka mundësi që ne të fillojmë me sigurimet shëndetësore pa e bërë punën paraprake përgatitore. E kemi një shans unik dhe nuk guxojmë të dështojmë. Nëse ne nuk angazhohemi në jetë për atë çfarë duam kjo do të thotë që jemi duke punuar të mos ngjajë ajo gjë. Krijimi i parakushteve për qytetarët e Republikës sonë është i lidhur ngushtë me funksionalizimin e sistemit informative shëndetësor që përfshin të gjitha modalitetet”.
Në të kundërtën derisa nuk ka sistem informative shëndetësor, Kurti thotë se s’mund të ketë në Kosovë të Drejta dhe Liri të Njeriut.
”Përderisa nuk i kemi sistemet informative shëndetësore, ne nuk mund të themi se i kemi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë. Qysh në javën e parë të punës si Kryeministër në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të fillojmë të gjitha përgatitjet me shpejtësi për sistemin informative shëndetësor”.
”Në këtë mënyrë e fuqizojmë edhe shtetndërtimin demokratik sepse e fuqizojmë edhe sundimin e ligjit dhe rregullësinë e kriteret e domosdoshme që shteti të bëhet i parashikueshëm për qytetarin e në anën tjetër që edhe aksidentet e paparashikueshme për qytetarin të gjejnë ilaçin tek organizimi i mirë që do të bëjmë”.