Mjegulla e rënë mbi Kosovë ka ndikuar që aterimet në aeroportin “Adem Jashari” të jenë të pamundura. Disa nga fluturimet edhe janë anuluar.
Aeroplani i paraparë që duhej të ateronte në Sllatinë rreth orës 22:15 është kthyer përsëri në Stamboll. Ndërsa ai i nisur nga Verona për në Prishtinë është detyruar që të ulet në aeroportin e Shkupit.
Zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka thënë për media se aterimet janë anuluar për shkak të mjegullës.
Tutje ajo ka pohuar se qytetarët duhet t’i kontaktojnë kompanitë ajrore, të cilat e kanë për obligim të merren më udhëtarët të cilët presin për të udhëtuar.
“Fluturime janë duke u anuluar për shkak të mjegullës, kompanitë ajrore duhet të kenë një përfaqësues që u sqaron udhëtarëve se çka duhet të bëjnë”, ka thënë Gara.
Probleme me aterime dhe fluturime në Aeroportin e Prishtinës janë evidentuar edhe në vitet paraprake për shkak të mjegullës dhe pisitës së shkurtë.