Dipomati holandez, i cili ka shërbyer edhe si ambasador në Kosovë, Robert Bosch, ka propozuar tre emra për postin e Presidentit të ardhshëm të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Bosch lista e tij me emrat e përzgjedhur do të ndihmonin në arritjen e një kompromisi mes VV’së dhe LDK’së dhe do t’i hapte rrugë krijimit të Qeverisë së re.
Propozimi i parë i Bosch është ish-presidenti i Kosovës njëherësh edhe ish-kreu i LDK’së, Fatmir Sejdiu, pasi që sipas tij Sejdiu ka eksperiencë sa i përket kësaj pozite dhe nuk është i angazhuar në ndonjë parti.
‘Fatmir Sejdiu mund të jetë një kompromis i mirë në pozitën e presidentit, edhe pse ky funksion nuk është i lirë edhe për një kohë. Ai ka esperiencë, është i pavarur dhe nuk është i angazhuar në ndonjë parti’, ka shkruar diplomati tanimë i pensionuar.
Ndërkaq ai si të denjë për pozitën e presidentit, që zgjedhet në vitin 2021, e sheh publicistin Veton Surroi dhe ish-ambasadoren e Kosovës në Holandë, Vjosa Dobrunën.
‘Dy të tjerë, që janë krejtësisht të pavarur, më shkuan në mend si kandidatë të shkëlqyer: Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna. Të dy me përvojë në vend dhe ndërkombëtarisht. Ata do ta përmirësonin imazhin e vendit’, ka shkruar Bosch.