Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka dhënë disa informacione lidhur me vdekjen që ndodhi mbrëmë në Badovc.
Personi që u gjet i vdekur, raportohet që është vrarë me armë zjarri.
“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli”, shkruan Ahmeti në Facebook.
Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit.
“Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, përfundon Ahmeti.