Edhepse jetojnë larg, mërgimtarët nuk e harrojnë vendlindjen. Jo vetëm që e vizitojnë gjatë pushimeve, por shumica prej tyre nuk mund t’i injorojë ndodhitë në sferën politike në Maqedoni. Maqedonia është në duar të kriminelëve, të diturit dëbohen ndërsa gënjeshtarët janë njerëzit më ‘të fortë’; “Shkupi 2014” është i panevojshëm, është larje parash, kështu deklarojnë për Portalb mërgimtarët e anketuar. Ata vendlindjen për vite radhazi e gjejnë në mjerim, ndërsa ankohen për sjelljen e keqe në kufi dhe institucionet tjera shtetërore.
“Politikën në Maqedoni e kanë kapur një grup kriminelësh. Sllavët duan të bëjnë një histori të rrejshme, sepse nuk e dijnë vetë se çka edhe prej nga janë. E kanë popullin frikacak dhe bëjnë çfarë të dëshirojnë. Sa më shumë t’i gënjejnë aq më shumë i votojnë.”-u shpreh Nexhat Fazlija i cili e ndjek vazhdimisht gjendjen politike në Maqedoni, “Sa më i ditur që je aq më larg të dëbojnë ose ta bëjnë ndonjë montim e të mbyllin në burg. Sa më gënjeshtar a kriminel të jesh bëhesh shumë i fortë, biles biles ke shancë të bëhesh edhe ministër”.
“Gjithmonë vij në Maqedoni pa durim, që ta shoh vendlindjen por shumë keq e gjej. Edhe në shekullin 21 vazhdojmë të kemi problem me ujin, me shkollat që janë në gjendje të mjerueshme, janë ashtu siç i kam lënë unë para 20 viteve. Kudo që të shkosh dëgjon vetëm për politikë duke folur, shumë pak bisedojnë për ekzistencë.”-shtoi Fazlija, i cili jeton në Zhenevë të Zvicrës.
Sipas tij, “Shkupi 2014” është larje e parave të vjedhura ndërsa theksoi edhe sjelljen e keqe në kufi të Maqedonisë, ku siç tha “Sjelljet i kanë të kqija, shumë të lëndojnë duke të të pyetur mos jemi mogolë a kriminelë”.
“Lajmet i përcjellim shpesh. Situata nuk është e mirë, nuk na pëlqen ajo çfarë ndodh. Të drejtat e shqiptarëve nuk respektohen aspak.”-tha Fatmir Salihu i cili jeton në St. Gallen, “ ‘Shkupi 2014’ për ne mërgimtarët nuk duket aq i keq, ne shkojmë andej, po duket i mirë. Por në aspektin politik dhe buxhetin e shtetit normalisht nuk është mirë.”
I pyetur se si e gjen vendlindjen kur vjen, ai tha “Në familjet tona kalojmë mirë, por në përgjithësi gjendja është e mjerueshme. Infrastruktura është e keqe dhe këto vitet e fundit nuk kam parë shumë ndryshime, veçanërisht jo në Kumanovë.”
“Në kufi shumë keq është, shumë ‘kallaballëk’ e bëjnë. Në polici nuk na presin mirë: Një herë me të shoqen kam pritur për një dokument prej në 8 në mëngjes deri në 4 pasdite. Ata që duhet të punonin rrinin nëpër kafenë e restorane.”-u shpreh Selver Nebiu i cili jeton në Fribourg, Zvicër, “Në qoftë se ke të njohur kryen punë, në qoftë se nuk ke asnjë nuk të kryen punë.”
I pyetur se sa e ndjek gjendjen politike në Maqedoni, Nebiu tha: “Politikën nuk e përcjellim më, se koka po na dhemb… Ne mërgimtarët kemi filluar t’i largohemi politikës pak”.
Gjithsesi ai e ndau me Portalb mendimin e tij rreth projektit “Shkupi 2014” duke u shprehur kësisoji “Çka na duhen neve luana?! Populli le të ketë bukë për të ngrënë, se luanët nuk na duhen. Populli ka mbetur asgjëkundi! Askush nuk është duke punuar. Në fshatin Rramanli të Kumanovës ka kohë që thonë se do ta ndërtojnë kanalizimin, ‘Po bëhet sot, po bëhet nesër’, po kurrë nuk e ndërtuan. Politikanët vijnë vetëm sa për t’i marrë votat. Një herë më mashtruan, e votova Ali Ahmetin, por më kurrë nuk do ta votoj.”
Ndryshe, numri i mërgimtarëve shtohet nga viti në vit. Sipas të dhënave statistikore numri i lindjeve të foshnjave jashtë vendit shënon rritje. Ashtuqë vetëm në vitin 2014 jashtë kanë lindur 4.400 foshnje. Shumica e këtyre 4.400 fëmijëve kanë lindur në vendet ku shqiptarët janë me punë të përkohshme, si Zvicra, Italia dhe Gjermania, ndërsa familjet e tyre janë me origjinë nga Gostivari, Struga, Tetova, Vrapçishti, Zhelina, Saraji dhe Likova. Ndërkohë në vitin 2013 në Maqedoni kanë lindur 7.488 foshnje shqiptare.