Glauk Konjufca, deputetit i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e din se çfarë do të bëhet me terminalin e djalit të Isa Mustafës, kur të vijë parit e tij në pushtet, ndonëse lideri i tij, Albin Kurti është zotuar se të gjitha terminalet do t’i kthehen shtetit të Kosovës, kur ai do të bëhet kryeministër.
Konjufca duke mos iu përgjigjur direkt pyetjes së redaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi se a do ta mbajë zotim Albin Kurti për kthimin e terminaleve Republikës së Kosovës, Konjufca është shprehur se gjërat nuk duhet të kthehen në personale.
“Isa Mustafa e ka prit Albin Kurtin në shpi. Këtu fillon dhe përfundon. Albin Kurti ka qenë mysafir i Isa Mustafës. Kjo është një pozicionim politik, ku gjërat nuk kthehen në personale”, është përgjigjur Konjufca.
Tutje Konjufca kur është pyetur sërish se si do të veprojë “Qeveria Kurti” me terminalin doganor të djalit të Isa Mustafës, ai është përgjigjur se këtë çështje nuk e din.
“Unë këtë çështjen e terminalit bash të qatij, nuk e di. I di do terminale tjera për të cilat e di edhe qysh kanë dhënë”, ka thënë Konjufca në emisionin Depat Plus.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti kishte shkruar se të gjitha terminalet doganore do t’i kthehen shtetit demokratik të Kosovës.
“Beteja ishte e gjatë, mirëpo mbrëmë në mesnatë, më në fund, 300 mijë numra të Z-Mobile kanë kaluar te Vala. Besoj që shumë më e shkurtër do të jetë beteja e kalimit të terminaleve doganore të privatizuar të shtetit demokratik të Kosovës”, kishte shkruar Kurti.
Mirëpo kujtojmë se Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë në negociata me njëri – tjetrin për të nënshkruar një marrëveshje për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Por posti i presidentit tash e dy muaj është duke zvarritur formimin e një qeverie të re pasi që LDK-ja është duke insistuar që ky post t’i takojë atyre.
Derisa gjatë ditës së nesërme është thirrur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje në mes të LDK-së dhe VV-së. /Insajderi.com