Flamur Beqiri, 36-vjeçari shqiptar që u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në Britani, ka qenë i përfshirë në trafik droge nga Spanja drejt Suedisë.
Shqiptari përfundoi në prangat e policisë në vitin 2008, pasi në Suedi u kapën 340 kg kanabis, një prej sasive më të mëdha në historinë e vendit. Dyshohet se Beqiri vijonte t’i ruante lidhjet e tij nëntokësore të trafikut të drogës nga Spanja, përmes Holandës, drejt Suedisë.
Sipas ‘Telegraph’, Beqri u ekzekutua nga një vrasës me pagesë. Hetuesit besojnë se 36-vjeçari u vra në një sulm të shënjestruar, si një akt hakmarrjeje për të shkuarën kriminale.
“Një pistë hetimi që po ndiqet nga detektivët është mundësia që zoti Beqiri të ishte në shënjestër për shkak të miqësisë me një bos kryesor droge në nëntokën e Suedisë. Një burim i tha gazetës së burri në fjalë ishte përfshirë në një përplasje të përgjakur me një tjetër bos droge dhe zoti Beqiri mund të jetë vrarë vetëm për shpagim”.
36-vjeçari humbi jetën në vigjilje të Krishtlindjes, pranë banesës së tij luksoze, në sy të djalit të vogël dhe gruas së tij. Beqiri, i cili njihej nga miqtë e tij me emrin Alex ishte nga Ferizaj i Kosovës. Ai punonte si producent për disa artistë të njohur të zonës.