Ligjvënësit irakianë pritet të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme të dielën, ku do të votojnë për një rezolutë me të cilën kërkohet tërheqja e trupave amerikane nga Iraku.
Kjo seancë u thirr vetëm dy ditë pas sulmit me dron të forcave amerikane, në të cilin mbetën të vrarë gjenerali iranian i forcave Kuds, Qasem Soleimani, dhe lideri i një grupi militant, Abu Mahdi al-Muhandis.
“Nuk ka nevojë për praninë e forcave amerikane pas mposhtjes së Shtetit Islamik”, tha Ammar al-Shibli, ligjvënës shiit dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Drejtësisë.
“Ne i kemi forcat tona të armatosura, të cilat janë të afta për ta mbrojtur vendin”, shtoi ai.
Pavarësisht dekadave të armiqësisë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, grupi militant i përkrahur nga Irani ka luftuar bashkë me forcat amerikane gjatë luftës kundër Shtetit Islamik nga viti 2014 deri në vitin 2017.
Ndryshe, në Irak ndodhen rreth pesë mijë trupa amerikane. Shumica prej tyre kanë rol këshilluesm shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.