Dhunohet për herë të dytë makina e analistit të njohur, Fatos Lubonja. Ngjarja ka ndodhur ditët e fundit të dhjetorit. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me mjete të forta makinën e analistit, e cila ishte parkuar pranë banesës së tij.
Mësohet se vetë analisti Lubonja ka denoncuar ngjarjen në policinë e Shtetit, më 2 janar, ndërsa pret që autoritetet të zbardhin ngjarjen e cila përsëritet për të dytën herë.
Më datë 7 korrik makina e analistit Lubonja u qëllua me gurë. Personi, cili u arrestua nga Policia e Shtetit dhe u dënua nga gjykata me burg, ka shprehur urrejte ndaj Lubonjës për qëndrimet e tij publike.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Analisti Fatos Lubonja foli për sulmin ndaj makinës së tij, i dyti në pak muaj.
Lubonja deklaroi se ky është një sulm i qëllimshëm, dhe që lidhet me deklaratat e tij të forta ndaj politikanëve.
“Di që u ktheva nga Italia më 1 në darkë dhe e gjeta makinën të dëmtuar mbrapa rëndë, thyer xhamat, që dukej e qëllimshme se nuk kishte ndonjë vjedhje. Ishte një akt vandal, akt urrejtje nga dikush”, tha Lubonja.
Ai është i arrestuar. Nuk do të jetë ky. Pistat janë të shumta, por mua pista më çon te një urrejtje për qëndrimet politike. Kryeprotagonisti i kësaj klime urrejtje është kryeministri, që del aty e thotë ‘ndiqeni analistin’. Një nga këta analistë jam edhe unë. Unë e marr si akt kërcënimi. Ne nuk jemi me bodigardë, nuk na mbron shteti, për ato që themi mund të shkojmë dhe në gjyqe. Këto janë akte vandale, që të kthejnë në kohët e errëta.