Mbahet e mbyllur për publikun seanca gjyqësore ndaj Ikballe Berisha-Hudutit.
Berisha-Huduti është arrestuar më 7 janar nga policia pas deklaratës që bëri kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.
Kjo seancë gjyqësore ka qenë e mbyllur për media.
Klan Kosova ka kontaktuar me Mirlinda Gashin, zëdhënëse për media në Gjykatën Themelore, e cila tha se vendimi do të merret së shpejti dhe do të dalin me një komunikatë për media për detajet tjera.
Berisha-Huduti ditën kur gjenerali iranian u vra bëri një postim në Facebook që bëri bujë në mediat kosovare dhe nxitit reagime.
“Njerëzit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajnë gjak kriminile ata janë të vdekur por vetëm frymojnë për t’u turpëruar vetë dhe kombin e vet kriminel. Kriminelet ta deshën vdekjen e cila nuk është vdekje por shehidllek me i bukur qe ka mund ta ketë dikush ne shekullin 21”, kishte shkruar ajo.
“Ti shkove në përqafim Imam Husejnit sepse vajte në tokën e tij të Qerbelas dhe tani për ty po ndriçohet nata me mija qirinj të ndezur për shpirtin dhe qenësinë e njeriut madhështor Gjeneralit Sulejman. Të mi bësh selam Ehli Bejtit se bota është me të drejtit dhe se drejtësia është shumë afër të manifestohet me ardhjen e Imam Mehdiut a.s. Vetëm pak durim o popull i shtypur musliman kudo që jeni anë e mbanë”.
Huduti-Berisha është themeluese e një fondacioni fetar.