Publicisti Veton Surroi ka komentuar zhvillimet për koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike duke u kërkuar të dy partive që së pari të zgjedhin çështjen e presidentit të ardhshëm, që sipas tij nuk duhet të jetë partiak.
Surroi ka shkruar se LVV dhe LDK duhet të rikthehen në negociatat për koalicion prej një këndi tjetër.
“LVV dhe LDK mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së Presidentit/es. Kjo çështje qe një prej pengesave të mëdha dhe konstante për arritjen e marrëveshjes por nuk ka nevojë të jetë e tillë”, thotë ai.
Sipas publicistit Surroi në mënyrë që të zgjidhet çështja në konsideratë duhet të jenë disa pika.
“Koalicioni LVV-LDK duhet ta ketë të formalizuar zgjidhjen për çështjen e Presidentit/es , në mënyrë që kjo çështje të mos shtrohet si pengesë e funksionimit të Koalicionit kur të vijë koha e zgjedhjes e Presidentit/es. Sipas Kushtetutës dhe vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti/ja nuk i “përket” asnjë partie politike, andaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të koncensusit : një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.
Pjesë e Marrëveshjes së Koalicionit mes LVV-LDK nuk duhet të jetë as emri i kandidatit/es e as përkatësia e tij/saj partiake , por procedura me të cilën partitë nënshkruese të Koalicionit do ta propozojnë kandidatin/en që mund të ketë pëlqimin edhe të partive që nuk janë pjesë të koalicionit në pushtet”, thotë ai.
Nëse LV dhe LDK arrijnë pajtim për presidentin, atëherë Surroi thotë se do të forcohet ideja e balansit të pushtetit mes tyre.
“Nëse LVV dhe LDK arrijnë një pajtim për procedurën e ndërtimit të konsensusit për Presidentin/en, atëbotë do të forcojnë idenë e balansit të pushtetit nëpërmjet bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.
Njëherë e zgjidhur kjo çështje, mund t’u rikthehen çështjeve të mbetura, të pakta dhe që të gjitha të zgjidhshme”, ka shtuar ai.