Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, e ka akuzuar rëndë ish-shokun e luftës, Rexhep Selimin, për të cilin ka thënë se ka dëshmuar rreth tri ditë.
Haradinaj e ka akuzuar Rexhep Selimin se ka ndryshuar shumë qëndrimet, varësisht nga rrethanat politike. Po ashtu, ai i ka komentuar edhe akuzat që Rexhep Selimi ia kishte bërë Ramush Haradinajt se lufta e UÇK-së nuk mund të mbrohet duke heshtur.
“Rexhep Selimi fizikisht i ka thënë Sylejman Selimit, a ka mundësi me u mbrojt në heshtje? Sylejman Selimi është person me peshë në raportet ndër njerëzore dhe familjar me Rexhep Selimin, se i kanë babat vëllezër. Nëse e ka sugjeruar Sylen mos me fol, pse po u dashka me i akuzua të tjerët që mbrohen në heshtje. Veç këtë përgjigje me ma dhënë ai ndonjëherë, unë e kisha falënderuar shumë. Nuk mundesh me kanë për dikën nënë, për dikën njerkë”, ka thënë Haradinaj.
Daut Haradinaj më tej ka thënë se Rexhep Selimit nuk i ka hije që të ndryshojë qëndrime dhe të kritikojë, vetëm pse e ka një pozicion tjetër politik, duke qenë në Vetëvendosje.
“I njëjti Rexhep Selimi e ka lëshuar Aleancën pse jemi bërë me LDK-në dhe me Ibrahim Rugovën. Tash nuk e di a ndryshojë LDK-ja apo ndryshojë Rexha. Rexhep Selimi sot është i ulur në përbërjen LDK-së, me pasardhës të Rugovës dhe po ndihet mirë”, ka shtuar ai.