Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka anuluar takimin me kryetarin e Tiranës, Erion Veliajn, në vizitën e parë të tij në Shqipëri si shef i Qeverisë.
Është anuluar vizita mes Kurtit dhe Veliajt, ku ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës të nderohet me “Çelësin e Tiranës”.
Anulimin e vizitës është konfirmuar për Gazetën Express nga kabineti i Veliajt.
Sipas kësaj përgjigjeje, takimi u anulua me dakordimin e dy palëve për shkak të obligimeve.
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë thënë Gazetës Express se takimi u anulua për shkak të agjendës së ngarkuar që kryeministri Kurti e ka në Kosovë.
Takimi ishte planifikuar të ndodhte në orën 12:30.
Kurti e nisi vizitën e tij në Shqipëri me kryeministrin Edi Rama, me të cilin gjatë konferencës patën deklarata kundërthënëse.
Përderisa Kurti kishte shkuar plot falëndërime për shtetin shqiptar, Rama i mori me ftohtësi deklarimet e kryeministrit të Kosovës.
Madje, kur Kurti tha para gazetarëve që në këtë takim më shumë është folur për “makroshengen shqiptar, se sa për minishengen ballkanik”, Rama menjëherë i tha se “s’ka makrshengen shqiptar pa minishengen ballkanik”.
Rama është një nga ideatorët e minishengenit ballkanik bashkë më presidentin serb, Aleksandër Vuciq. Ky projekt nuk ka përkrahje as të Kurtit e as të politikanëve të tjerë të Kosovës. /Express/