Rusia është e gatshme të angazhohet për arritjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës, nëse i kërkohet nga Serbia, ka thënë ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko.
Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko ka deklaruar se Rusia është e gatshme të ndihmojë rreth dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, nëse kërkohet nga Beogradi.
Ai ka vlerësur se angazhimi i deritashëm i Perëndimit për të arritur deri tek një zgjidhje nuk ka sjellë diçka të re që do të siguronte mundësinë e kompromisit.
Ai ka thënë për “Sputnik” se të gjitha përpjekjet e deritashme ia përkujtojnë vrapimin në shteg, shpenzohet shumë energji dhe nuk ka lëvizje reale përpara. Kharchenko po ashtu ka thënë se deri tani nuk ka dëgjuar diçka pozitive nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, më tepër ka dëgjuar diçka që nuk është inkurajuese dhe ende paraqet pengesë për rikthimin në dialog. “Gjëja më e rëndësishme është heqja e taksës. Kjo është detyra e parë më e rëndësishme. Kemi dëgjuar diçka, por me disa kushte, që nuk është e qartë. Kurse, aspekti politik në thelb, sa i përket dialogut dhe të gjitha pëpjekjeve nga ana e Perëndimir, nuk mendoj se deri tani ekziston diçka e re që do të mundësonte arritjen e kompromisit, e zgjidhja është e mundshme vetëm me kushte kompromisi. Kjo është e qartë për të gjithë”, deklaroi ai.
“Kufizimet kohore janë armik i kompromisit. Kompromisi është i mundur vetëm në rast të rihapjes së dialogut, pa kufizim, me ndihmën e të dërguarve special që janë emëruar. Ekziston nevoja për baraspeshim, por mbi të gjitha presion ndaj Prishtinës. Nga kjo edhe kam filluar, që Prishtina të heq taksën”, shtoi Kharchenko.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Rusia mendon ta emërojë të dërguarin e saj special, Kharchenko ka thënë se për Moskën është i rëndësishëm qëndrimi i Beogradit dhe nëse merr thirrje nga Beogradi dhe ekziston dëshira, do të ketë edhe zgjidhje, transmeton lajmi.net.
“Në çfarëdo rasti, Rusia nuk qëndron jashtë asaj situate. Rusia është anëtare e rregullt e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e pa të nuk ka zgjidhje. Aty askush nuk mund të thotë diçka tjetër, në përjashtim të disa gazetarëve nga gazetat shqiptare të cilët mendojnë se është e mundur pa Këshillin e Sigurimit”, tha ai.
“Logjika e të drejtës ndërkombëtare është e thjeshtë, nëse ekziston një rezolutë, është e mundur të krijohet e dyta vetëm në rast të zgjidhjes së ardhshme”, theksoi Kharchenko.
Ai ka thënë se deri më tani Rusia nuk ka konsideruar mundësinë për emërimin e një të dërguari special por beson se Moska do të gjejë një zgjidhje nëse Beogradi e fton Rusinë.