Kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borisov, ka uruar homologun e tij kosovar, Albin Kurti, për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Krahas urimit ai ka thënë se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe ka kërkuar thellim të bashkëpunimit mes dy popujve.
“Gjatë viteve bashkërisht kemi ndërtuar një bazë stabile për zhvillim edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Kosovës dhe në mes të dy popujve tanë në frymën e miqësisë dhe partneritetit”.
Kryeministri bullgar tha ka rëndësi të madhe që dy shtetet të kenë “mirëkuptimin e përbashkët për rëndësinë të cilën e kanë në rajon vlerat evropiane dhe euroatlantike dhe që në të ardhmen do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për afirmimin e tyre”.
“Përfitoj nga rasti që të shpreh edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme nga Republika e Bullgarisë për ndërtimin e Republikës së Kosovës si një shtet modern dhe demokratik, për perspektivën e saj europiane, si dhe për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Me urime për shëndet dhe suksese në veprimtarinë tuaj me përgjegjësi të lartë”.