Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka përmbledhur ditën e djeshme të festimit të Pavarësisë së Kosovës duke thënë se dje ka qenë më ndryshe, sepse janë bërë bashkë për Republikën.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abazi ka përmendur edhe vizitën e Kryeministrit, Albin Kurti tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.
“Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmën dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë. Lavdi!”, ka shkruar Abazi.
Tutje Abazi ka shkruar se “Dje kaluam nje ditë feste, feste e rëndësishme në udhëtimin tonë si komb, përkrah kombeve tjera. Të tjerët janë para nesh, ata bënë shtetin kur ne sikur luftonim njëri tjetrin e Besën u falëm të huajve. Dje ishte ndryshe, Besën njëri tjetrit, për vendin”.
“Dje, ishte ditë e bukur në të gjitha anët, në Prekaz dielli bënte dritë e shpirtrat e familjes Jashari i jepnin shkëlqimin vendit tonë. Ndëgjohet thirrja për të ruajtur cdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK, bijave dhe bijëve të vendit, heronjëve të historisë dhe patriotëve që nuk u dorëzuan asnjeherë. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Abazi.
Ndër tjera zëvednëskryeministri Abazi është shprehur se gjatë ditës së djeshme Kuvendi ka rrezatuar vlerë, sinqeritet e unitet.
“Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim. Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenar, të mbrojtur dhe të sigurtë. Uniforma është e jona!”, ka shkruar Abazi.
Në fund Abazi ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar falje nëse gjatë ditës së djeshme është bërë ndonjë lëshim.
“Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë! Falemnderit gjithashtu policisë së Kosovës për sigurinë publike. Kërkoj falje për ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë dhe të jeni të sigurt që nuk e kemi bërë me qëllim!”, ka përfunduar Abazi.