Në Grabovc të Epërm të Komunës së Obiliqit, treni Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas kalon tri herë në ditë.
E treni për të kaluar duhet të hyjë brenda një guri të madh, i cili e ka një histori të veten, raporton emisioni SOT në KTV.
Të gjithë e njohin si Guri i Plakës, madje edhe rruga që të dërgon për këtu, ka po këtë emër.
78-vjeçari Ramiz Mjekiqi nga Grabovci tregon se si u shkrua historia nga ky gur e që tani mban emrin e plakës më të famshme të këtij fshati.
Mjekiqi thotë se ky gur dikur kishe qenë i bashkuar, por ndërtimi i hekurudhës bëri që të ndahet në dysh.
Ai tregon se historia e plakës u tregua brez pas brezi dhe njëjtë ka bërë edhe ai me trashëgimtarët e tij.
Mjekiqi flet për kohën e fëmijërisë së tij kur ngjiteshin në majat e Gurit të Plakës dhe bashkë me fëmijët e fshatit qëndronin në vendin ku pikërisht kishte qëndruar edhe vetë ajo.
Te guri shihet një vend ku thuhet se plaka kishte qëndruar brenda në të, e për të hyrë brenda këtij vendi tashmë nuk është edhe aq e lehtë.
Dikur kishin qenë disa shkallë ndihmëse që ndihmonte rrugën për të hyrë brenda, e që tani nuk ekzistojnë, megjithatë ka shenja të tyre.