Janë bërë gati dy vjet prejse dialogu Kosovë – Serbi ka hyrë në fazën përmbyllëse, por krerët institucionalë e partiakë nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth këtij procesi. Të paunifikuar ata janë paraqitur edhe gjatë ditës së djeshme, disa prej të cilëve nuk kanë hezituar ta sulmojnë njëri-tjetrin përmes deklarimeve publike. Derisa presidenti Hashim Thaçi ka riaktualizuar idenë e korrigjimit të kufijve, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar dështim të procesit të negociatave në rast të rihapjes së kësaj teme,
Derisa presioni ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi po rritet, mundësia për arritjen e një uniteti mes liderëve institucionalë rreth dialogut po zvogëlohet dita-ditës.
Ndasitë mes krerëve shtetërorë u shpërfaqën dukshëm edhe gjatë ditës së djeshme, ku presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti thumbuan nga distanca njëri-tjetrin, pasi ky i fundit refuzoi të marrë pjesë në takimin e thirrur nga shefi i shtetit. Para pak javësh njëjtë pati vepruar edhe Thaçi, i cili dy herë radhazi bojkotoi takimet e thirrua nga shefi i Qeverisë, shkruan Zëri.
Sidoqoftë, ftesës së presidentit dje iu përgjigj i pari i LDK-së Isa Mustafa, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj dhe shefi i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, të cilët ndarazi takuan kreun e shtetit.