Kabineti qeveritar në Rumani është në vetizolim për 14 ditë, pasi një deputet që u testua, doli pozitiv për Covid-19.
Ai ishte në parlament ditët e fundit, ndërsa partitë e krahut të djathtë përpiqeshin të krijonin një qeveri të re.
Rumania ka 70 raste të konfirmuara të koronavirusit deri më tani, por asnjë viktimë.
Gjithnjë e më shumë njerëz në botë po punojnë nga shtëpia, ndërsa koronavirusi i ri përhapet, transmeton KOHA.
Kështu po vepron edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, pas bashkëshortja e tij doli pozitive për koronavirus.
Virusi ka bërë që me dhjetëra zyrtarë qeverish nëpër botë, nga administratorë e deri te shefat e shteteve, të marrin masa parandaluese, pasi kanë zbuluar se janë infektuar apo kanë qenë në kontakt me njerëz të infektuar.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, nuk është prekur nga koronavirusi, tha djali i tij Eduardo për Fox News, duke kundërshtuar raportet e mëparshme se lideri latin ishte testuar pozitiv.
Në SHBA, presidenti Trump raportohet se i ka thënë disa të afërmve të tij se ai është i shqetësuar për kontaktet me njerëz të prekur.
Ndërkohë, nëntë ligjvënës amerikanë, disa prej të cilëve janë takuar me Trumpin, po hyjnë tani në vetëkarantinë si masë mbrojtëse, pasi kishin hyrë në kontakt me një tjetër person të infektuar.
Ndërkohë, qeveria e Iranit është prekur veçanërisht nga virusi me të paktën 23 pjesëtarë të parlamentit, pozitivë ndaj virusit dhe dy deputetë të vdekur.
Në Mongoli, presidenti dhe zyrtarë të tjerë janë vënë nën karantinë për dy javë pas kthimit nga një udhëtim në Kinë.
Sipas OBSH-së, në botë janë rreth 150,000 të infektuar. E deri më tani, janë shëruar rreth 72,000 të prekur.