Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dorëzoi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, padinë kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19.
Pasi Qeveria e Kosovës vendosi kufizime në lëvizjen e qytetarëve, presidenti Thaçi në një konferencë për media e kishte kundërshtuar masën duke thënë se ajo është kundër kushtetuese.
“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër- kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë”, pati deklaruar Thaçi.
Në një njoftim të Minisrtisë së Punëve të Brendshme thuhet se në padi potencohet se “presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të “kontribuojë” në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19”.
Sveçla në padi ngrit dyshime se presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë” të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./REL