Ka hyrë në fuqi, mesnatën e së mërkurës, vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, për heqjen e tarifës prej 100 për qind në produktet serbe dhe boshnjake dhe zëvendësimi i saj me reciprocitet. Qeveria, si është bërë e ditur, ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë, por jo edhe Bosnjën.
E heqja e tarifës është quajtur vendim i rëndësishëm nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.
“I lumtur ta shoh vendimin për heqjen e plotë të tarifave nga Qeveria në detyrë e Kosovës, për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë. Është ky vendim i rëndësishëm”, ka shkruar përmes “Twitter”-it, kryediplomati i bllokut evropian, transmeton KOHA.
Ai po ashtu ka thënë se “bashkëpunimi rajonal është çelësi, ashtu si edhe mbajtja e rrjedhjes së mallrave, posaçërisht në kohë krizash”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte bërë të ditur të mërkuren mbrëma se për këtë vendim kishin votuar shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Ai kishte deklaruar me këtë rast se vendimi do të hyjë në fuqi para mesnatës.
“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e tij”, ka deklaruar Kurti.
Reciprociteti, ka sqaruar ai, do të jetë i zbatueshëm vetëm në raport me Serbinë, ndërsa për Bosnjën ka thënë se ajo hiqet pa kushtëzime.