“Gabimi vdekjeprurës që bëri Trump”, shkrimi në “The New York Times”: Tani duket sikur u zgjua nga gjumi, por…

Thomas L. Friedman

Amerika ka një president të dashuruar pas tregjeve, por të paditur ndaj Nënës Natyrë. Dhe SHBA-ja po paguan një çmim tepër të madh për këtë gjë, dhe do të paguajë një çmim edhe më të madh kur bëhet fjalë për ndryshimin e klimës, në rast se Trumpi do të mbetet në krye të vendit.

Si ndodhi kështu? Unë besoj se forca më e fuqishme në planet është Nëna Natyrë. Dhe forca e dytë më e fuqishme është Atë Lakmia, pra tregjet. Koronavirusi u përhap në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Trump e pa në fillim problemin përmes “lenteve” të tregjeve, dhe më pas me ato të shkencës së sistemeve natyrore.

Në fillim, Trump i kaloi ditët e para të pandemisë duke vëzhguar ecurinë e tregjeve, dhe duke minimizuar potencialin e virusit për t’u përhapur shpejt. Nëse tregjet po shkonin mirë për investitorët, Trump mendonte se kjo do të thoshte se ai po ee menxhonte mirë situatën përballë sëmundjes COVID-19 të Nënës Natyrë, një nga mekanizmat e shumtë darvinianë që ajo përdor për të ndarë pa mëshirë të dobëtit nga të fortët.

Trump mendoi se bllokimi i fluturimeve me Kinën, mjaftonte për ta frenuar këtë epidemi në rritje, dhe për të qetësuar tregjet, pa pasur nevojë për testimet në masë, apo kufizimet e mëdha dhe karantinat që kishin vendosur më herët me sukses Koreja e Jugut, Hong Kongu dhe Singapori.

Dhe ishte gabimi i tij vdekjeprurës. Nëna Natyrë, nuk u mahnit nga Trump apo tregjet e tij. Mjerisht, Nëna Natyra, nuk e “e nis” ditën e saj të punës në 9:30 të mëngjesit dhe ta mbyllë në orën 4 të pasdites. Nuk punon nga e hëna deri të premte, dhe më pas pushon në fundjavë.

Siç thotë Rob Uotson, një nga ambjentalistët e mi të preferuar, i pëlqen t’u kujtojë njerëzve: “Nëna Natyrë është thjesht kimi, biologji dhe fizikë. Kaq”.

Ju nuk mund të flisni ëmbël më të. As ta joshni, apo manipuloni. Me siguri, ju nuk mund t’i thoni:”Nëna Natyrë, ndalo së shkatërruari tregun tim të bukur të aksioneve”. Kjo është pikërisht ajo që bëri fillimisht Trump me koronavirusin, dhe kjo është ajo që po përpiqet të bëjë ende me çështjen e ndryshimit të klimës.

Por tani duhet të përqëndrohemi absolutisht në luftën kundër këtij virusi. Dhe Trump duket se më në fund është duke u zgjuar nga gjumi, si pasojë e fuqisë së COVID-19 të Nënës Natyrë, duke udhëzuar që distancimi social të vazhdojë të paktën deri më 30 prill. Dhe kjo është një gjë pozitive.

Por ndërsa ne e fitojmë këtë betejë me koronavirusin, dhe fillojmë të mendojmë për raundin tjetër të stimujve që duam të injektojmë në ekonomi – dhe do të ketë një raund tjetër – është shumë e rëndësishme të mos harrojmë se sa shumë më shkatërrues mund të jetë për të gjithë ne ndryshimi i klimës, dhe të sigurohemi që të investohemi mbi një rezistencë afatgjatë edhe ndaj këtij fenomeni.

Sepse ka një dallim të madh midis koronavirusit dhe ndryshimit të klimës:pasi kurba e pandemisëtë rrafshohet, ajo mund të zhduket, ose të parandalohet përgjithmonë nga një vaksinë. Dhe kështu rinis jeta normale. Por kur akulli i Grenlandës dhe Antarktidës të jetë shkrirë, ne njerëzit duhet të përballemi me pasojat e rritjes së nivelit të detit, lëvizjet masive të popullsive, dhe llojet e ndryshme të motit ekstrem.

Në rastin e ndryshimit të klimës nuk ka një “imunitet të tufës”. Ka vetëm efekte të pafundme mbi tufën e njerëzve. Të mendosh mbi ndryshimet klimatike, madje edhe në mes të kësaj pandemie, është në fakt e dobishme në një numër aspektesh. Së pari, këto dy problematika ndjekin ligje të ngjashme natyrore, dhe kanë strategji të përbashkëta zbutjeje.

“Si pandemia e COVID-19, ashtu edhe ndryshimi i klimës, vënë në lëvizje elementë që mund të nxjerrin nga binarët sistemin shëndetësor të një vendi, apo klimën e planetit”-vuri në dukje Hal Harvi, themeluesi i ‘Energy Innovation”.

Me koronavirusin, “një sëmundje e hershme bëhet një problem mbarëbotëror, që përshkon me shpejtësi vendin, dhe shndërrohet në një epidemi”. “Do të ndodhë saktësisht e njëjta gjë edhe me ndryshimin e klimës. Rritja e temperaturave e shkaktuar nga njeriu, aktivizon forcat komplekse të natyrës:Nëse për shembull e shpërfytyrojmë tundrën në Alaskë, Kanada dhe Rusi, ajo tokë e shkrirë do të lëshojë në atmosferë miliarda tonë dioksid karboni dhe metan shtesë. Vetëm veprimet e hershme, mund të parandalojnë një katastrofë të madhe”- shton ai.

Kjo është arsyeja, pse rregulli i parë i shkencëtarëve për zbutjen e ndryshimit klimatik, qëllon të jetë edhe rregulli i parë për zyrtarët e shëndetit publik për zbutjen e pandemisë së COVID-19: Menaxho të pashmangshmen, në mënyrë që të shmangësh të pakontrollueshmen.

Trump ishte i ngadaltë në menaxhimin e të pashmangshmes. Le të shpresojmë që performanca e përmirësuar e ekipit të tij, do të shmangë të pakontrollueshmen. Një parim i dytë që ndajnë ndryshimet klimatike dhe pandemitë është: Nëse nuk kujdesemi për kushtet që na mundësojnë të ecim përpara, në një moment do të ngecim në vend numëro.

Kina gaboi me importin dhe përzierjen e “jetës së egër” me mishin dhe ushqime e zakonshme në tregjet e saj të lagështa. Dhe kjo duket se ka sjellë si SARS, ashtu edhe koronavirusin e ri. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Ne në Amerikë, ndërtuam qytete në brigje dhe lumenj për lundrim dhe peshkim.

Ne kultivuam tokat e Mes-Perëndimit, ku tokat, shiu dhe temperaturat janë ideale. Nëse vazhdojmë ta ngopim atmosferën me karbon, do të minojmë të gjitha kushtet që i dhanë mundësi Amerikës të përparojë për kaq shumë kohë. Dhe nëse ndodh kjo gjë, shoqëria jonë do të ketë nevojë për ndihma të pafundme, për të zhvendosur qytetet, dhe për ta marrë veten nga efektet negative të ekstremiteteve të motit.

Së fundmi, epidemiologët do t’ju thonë se ndryshimi i klimës, mund të jetë motori tjetër i shkëlqyer për pandeminë e radhës. Ky virus, mund të bartet nesër lehtë nga mushkonjat, të cilat për shkak të temperaturave të ngrohta në veriun global, janë në gjendje të migrojnë në vende ku nuk kam emigruar kurrë më parë.

Për të gjitha këto arsye, ndërsa investojmë në infrastrukturë, për të shpëtuar ekonominë tonë nga kriza aktuale, ne duhet ta bëjmë këtë, edhe për ta bërë shoqërinë tonë më elastike ndaj pandemisë dhe ndryshimit të klimës. Tani që e kemi ”shijuar” zemërimin e Nënë Natyrës në formën e COVID-19 dhe ndryshimit të klimës, le ta bëjmë atë aleaten tonë.

Ajo është aq e lumtur të ndihmojë, po aq sa është e lumtur të shkatërrojë. Le të shfrytëzojmë kiminë, biologjinë dhe fizikën, për të mos përmendur diellin dhe erën, për të krijuar vaksinat dhe sistemet energjitike që na imunizojnë nga viruset dhe ekstremitetet e motit, dhe le mos të shtojmë zakonet tonë të këqija, që vetëm sa do të na sëmurin sërish. / “The New York Times” – Bota.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme