Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar gjithsej 853 persona që do të vëzhgojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas që do të zhvillohen të dielën më 4 dhjetor do të jenë të monitoruara nga 853 persona që sipas KQZ-së u takojnë organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare, një ambasade, subjekteve politike dhe mediave.
KQZ-ja në mbledhjen e kryesuar nga Valdete Daka bëri edhe akreditimet e fundit të kërkuara nga palë të interesuara për vëzhgim, duke dalë me numrin përfundimtar të vëzhguesve.
Në mbledhjen e sotme KQZ-ja akreditoi grupin prej 76 vëzhguesve, pasi drejtorja e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, znj. Miradije Mavriqi njoftoi KQZ-në se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për akreditimin e tyre.
OSBE-ja kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’i mundësohet monitorimi i zgjedhjeve në Drenas, pasi monitorimin nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës e kërkoi ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell në emër të shteteve të Quint-it.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas do të zhvillohen të dielën pasi Gjykata e Apelit i vërtetoi dënimin për krime lufte kryetarit të kësaj komune Nexhat Demaku, ndërsa ai më pas dha dorëheqje.
Në këto zgjedhje kandidatë për kryetarë janë tetë persona, dy nga të cilët e kanë deklaruar tërheqjen nga kjo garë edhe pse KQZ-ja nuk ua ka mundësuar këtë tërheqje.
Zgjedhjet për kryetar komune në Drenas do të monitorohen edhe nga KALLXO.com, ndërsa debatin “Jeta në Komunë” me kandidatë për kryetar të kësaj komune mund ta ndiqni sonte në RTV 21 me fillim prej orës 21 e 20 minuta.