Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton kthimin ne atdhe të 35 detarëve shqiptarë dhe 2 detarëve të Kosovës, të cilët kishin 4 javë të bllokuar në tragetet e kroçeret e kompanisë GNV në Itali.
“Pas një pune mjaft të madhe dhe ndihmës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, u arrit që 37 detarët të imbarkoheshin në tragetin GNV AZZURRA në Bari dhe të nisen në drejtim te Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Detarët shqiptarë mbërrijnë sot në Portin e Durrësit, ku janë marrë të gjitha masat për kontrollin e tyre mjekësor dhe transportin.
Mësohet se Administrata Detare Shqiptare ka qenë në kontakt me gjithë detarët Shqiptarë që punojnë në anijet me flamuj të huaj duke i asistuar dhe këshilluar për problematikat që kanë.
“Nga kontaktet që kemi pasur, shumica e tyre vazhdojnë punën ne anijet qe transportojnë mallra, duke kontribuar në lëvizjen e mallrave në këto ditë të vështira për gjithë botën. Ashtu si të gjithë shqiptarët edhe detarët nuk janë vetëm dhe të harruar, por të asistuar dhe të ndihmuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Një falënderim edhe për Autoritetin Portual Durrës, Policinë e Kufirit Durrës për gatishmërinë e tyre e ndihmën e pakursyer për të pritur detarët tanë”, përfundon njoftimi.