Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar pas përplasjeve të politikanëve për veriun e vendit.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka kërkuar nga politikanët kosovarë të mos merren me politikë në kohën e pandemisë.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abbott ka deklaruar se s’ka politikë me virusin.
Gjithashtu ai ka lavdëruar bashkëpunimin mes politikanëve shqiptarë e serbë gjatë kohës së pandemisë.
“Në këtë kohë të vështirë, bashkëpunimi mes komuniteteve, që e kemi parë javën e shkuar mes ministrave Arben Vitia dhe Dalibor Jevtiq, dhe mes kryekomunarëve Agim Bahtiri e Goran Rakiq në Mitrovicë, është i mirëpritur dhe përshëndetur. Siç ka thënë edhe Mbretëresha dje, nëse jemi të bashkuar dhe të vendosur, do të tejkalojmë këtë sëmundje. S’ka politikë me virusin. Populli i Kosovës nuk meriton më pak”, ka deklaruar ai.
Ditëve të fundit, komunat në veri të Kosovës u futën në karantinë për shkak të koronavirusit.
Teksa Qeveria e Kosovës tha se kjo u bë me vendim të tyre, opozita dhe presidenti Hashim Thaçi e kanë vlerësuar të papranueshme situatën e fundit.