Lajçak i dergon letër Thaçit për dialogun, nuk e përmend askund njohjen nga Serbia

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak i ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për t’i kërkuar bashkëpunim në dialog.

Lajçak për të cilin presidenti Thaçi dhe kryediplomati Konjufca kishin vërejtje si ndërmjetësues i dialogut për shkak të qasjes kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, në letrën dërguar Thaçit nuk thotë asgjë për qëllimet e dialogut dhe askund nuk e përmend njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB.

“Jam i bindur që me vullnet politik të të dy palëve mund t’i arrijmë qëllimet në dialog”, shkruan Lajçak në letrën e tij

Mospërmendja e rezultateve konkrete dhe specifike për dialogun në këtë letër sinjalizon edhe një proces të gjatë dialogues me rezultate të ngadalshme dhe jo domethënëse, siç kishte ndodhur edhe gjatë procesit në kohën e Mogherinit. Megjithatë, Lajçak thotë se caktimi i tij në këtë rol është sinjal i riangazhimit të BE-së në dialog.

Tutje, Lajçak në këtë letër flet edhe për krizën e shëndetit publik për shkak të pandemisë Covid-19, duke përmendur asistencën prej 5 milionë eurosh të BE-së për Kosovën.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, edhe atëherë kur detyra zyrtare ia kërkonte të ishte neutral ndaj statusit të Kosovës, ai më herët dilte hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Vitin e kaluar, si përfaqësues i Sllovakisë, Lajçak kishte udhëhequr kryesimin e OSBE-së dhe kishte tejkaluar rolin e tij, duke dalë hapur kundër Kosovës.

Me iniciativë të SHBA-së, shtetet që e kanë kryesimin e OSBE-së kishin krijuar një praktikë përmes së cilës ftonin në një takim joformal edhe përfaqësues nga Kosova. Derisa Gjermania, Austria dhe Italia e kishin vazhduar këtë traditë, Lajçak njëanshëm kishte refuzuar që ta ftojë Kosovën në një takim të tillë. Për këtë veprim, Lajçak ishte kritikuar edhe nga SHBA-ja.

Po ashtu, në të njëjtin kapacitet Miroslav Lajçak vitin e kaluar kishte ardhur edhe në Kosovë. Por, ai kishte insistuar që takimet me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës t’i mbajë nëpër hotele ose zyre të OSBE-së, duke refuzuar që ato të mbaheshin në zyrat e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës. Kështu, Lajçak kishte thyer sërish praktikën e gjithë ministrave të jashtëm që kryesonin OSBE-në, të cilët kishin takuar përfaqësuesit shtetërorë në institucionet e Kosovës, si Kurz, Steinmaier dhe të tjerë

Në të njëjtin rol, Lajçak vitin e kaluar kishte zhvilluar një takim edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por, përkundër që ishte kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajçak e kishte keqpërdorur takimin dhe rolin e tij, duke i premtuar Vuçiqit se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Miroslav Lajçak kishte kundërshtuar edhe Ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakajn, që ai të përfaqësojë kryesimin e Shqipërisë në OSBE, duke qenë se është nga Kosova. Lajçak kishte lobuar te shtetet anëtare për ta kundërshtuar emrin e Cakajt dhe më pas, Shqipëria ishte përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme