Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka marrë një sër masash rigoroze gjatë ditës së djeshme kundër përhapjes së koronavirusit, e të cilat do të aplikohen duke filluar nga dita e nesërme nëpër të gjitha komunat e Kosovës
Masat në fjalë, përfshijnë kufizim edhe më të ashpër të lëvizjes së qytetarëve, teksa një gjë e tillë është rregulluar përmes numrit të parafundit të letërnjoftimit.
Mirëpo, një vendim i tillë mund të mos zbatohet si pasojë e pakënaqësive të kryetarëve të komunave të Kosovës, dhe gjithashtu moslajmërimit të mëhershëm të minsitrisë për kryetarët e komunave, ashtu siç u potencua dje në konferencën për media.
Nënkryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi për lajmi.net konfirmoi pakënaqësitë e mëdha që aktualisht janë krijuar me vendimin e ministrisë së Shëndetësisë.
Gashi po ashtu tha se masat në fjalë, janë ndërmarrë pa asnjë konsultim me kryetarët e komunave, dhe si të tilla, ato janë të panjohura në përmbajtje edhe sa i përket aspektit të zbatimit të tyre.
“Siç e kemi thënë edhe më herët, këto masa janë ndërmarrë pa konsultim me kryetarët e komunave. Ne nuk mund të dijmë më shumë rreth zbatimit të tyre, teksa nuk e kemi parë ende vendimin”, ka thënë Gashi.
E siç konfirmoi Gashi për lajmi.net, gjatë ditës së sotme, rreth orës 15:30 do të ketë takim mes Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe ministrit të Shëndetësisë, si dhe ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi për të diskutuar më gjerësisht rreth masave në fjalë.
Ai tha se Asociacioni në këtë takim do t’i paraqesë shqetësimet dhe kundërshtimet e veta për vendimin në fjalë.
“Mund të them që shumica e kryetarëve të komunave e kanë paraqitur kundërshtimin e tyre për këtë vendim. Në takimin që sot do ta kemi, ne do t’i paraqesim kundërshtimet tona. Sidoqoftë, ne nuk merremi me ligjshmërinë e vendimit, dhe në bazë të saj ne do të jemi të obliguar ta zbatojmë”, ka thënë mes tjerash Gashi.
Gashi në lidhje me masat e propozuara nga ministria ka vënë në pah mangësitë e mëdha që ekzistojnë në formën e zbatimit të tyre, duke përmendur edhe problemet me bujqit, si dhe të moshuarit që nuk kanë mundësi të dalin në orët e vona sipas numrit të letërnjoftimit.
Ajo që e bën edhe më të komplikuar situatën lidhur me zbatimin e këtyre masave, është se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duket se nuk e ka nënshkruar ende vendimin e marrë dje.
Nga ministria e Shëndetësisë, nuk e kanë mohuar e as pohuar këtë, duke thënë se kur ka diçka zyrtare në këtë drejtim, do të publikohet edhe njoftimi për qytetarët.
“Kur ka diçka zyrtare, që është për publik, ne do ta publikojmë”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti për lajmi.net.
Kosova aktualisht ka 377 persona të konfirmuar me koronavirus, teksa ka shënuar edhe tetë viktima.
Masat e ndërmarra dje nga ministria e Shëndetësisë, nga njohësit janë cilësuar si shkelje flagrante e Kushtetutës, teksa vendimi në fjalë mund të dërgohet përsëri në Gjykatë për interpretim ligjor.