Pikërisht në momentin kur Kosova kishte nevojë për një qeverisje stabile në luftën kundër epidemisë Covid-19, administrata e presidentit Trump ka kontribuar në krijimin e një trazire politike duke e dhënë mbështetjen e saj ndaj një vote mosbesimi kundër qeverisë së Albin Kurtit, në më pak se dy muaj pas formimit të saj, shkruan Foreign Policy.
Një betejë politike ndërmjet Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë dhe kundërshtarit të tij afatgjatë, presidentit Hashim Thaçi, po vazhdon akoma edhe gjatë kësaj pandemie. Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje janë në favor të zgjedhjeve të reja ndërkohë që Thaçi dhe aleatët e tij nga parlamenti janë në favor të formimit të një qeverie të unitetit kombëtar duke e anashkaluar Kurtin dhe Vetëvendosjen, të cilët kanë marrë përsipër një fushatë anti-korrupsioni si dhe kanë minimizuar ndikimin e madh të Uashingtonit në çështjet e Kosovës.
Një krizë kushtetuese se kush ka të drejtë të formimit të një qeverie të re, tani pas rrëzimit të qeverisë Kurti, ka indinjuar qytetarët në masë të madhe në kryeqytetin, tashmë të izoluar, Prishtinën, të cilët rrëzimin e kësaj qeverie mu në këtë kohë pandemie e kanë konsideruar si të padrejtë dhe kanë protestuar duke i goditur tiganët dhe tenxheret nëpër ballkonet e shtëpive tyre.
Ndërhyrja politike e administratës së Presidentit Trump në Kosovë është konsideruar si një qasje tashmë e njohur e politikës së jashtme së Trump e cila karakterizohet me politika që shpërfillin aleatët dhe nga diplomatë karrieristë të motivuar politikisht madje shpërfillës edhe ndaj të drejtave të njeriut, thotë tutje Foreign Policy
SHBA ka mbështetur rrëzimin e Albin Kurtit si hap drejt arritjes së vështirë të një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas insistimit të Kurtit që ta mbajë masën e reciprocitetit kundër importit të Serbisë, të cilën masë edhe Trump por edhe Thaçi e shihnin si një pengesë drejt një progresi në negociatat me Beogradin. Në të njëjtën kohë Kurti është shprehur bindshëm kundër idesë kontraversale të shkëmbimit territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë marrë parasysh faktin se Administrata e Trump është deklaruar e hapur ndaj një ideje të shkëmbimit territorial po aq sa edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi.
Roli i administratës Trump për të shtyrë përpara një marrëveshje ku përfshihet edhe shkëmbimi territorial ndërmjet dy vendeve, marrëveshje kjo që pastaj do të nxiste edhe komplikime tjera në rajon, si dhe mbështetja dhënë Presidentit Thaçi për të larguar Albin Kurtin nga qeverisja, ka marrë kritika të mëdha jo vetëm pse një gjë e tillë rrezikon sovranitetin e Kosovës por edhe pse rrezikon ndërprerjen e qeverisjes gjatë krizës me pandeminë. Në të njëjtën kohë politikat e administratës Trump janë fajësuar edhe për prishjen e marrëdhënieve të Uashingtonit me aleatët e saj kryesorë evropianë të cilët janë shprehur në favor të një udhëheqjeje më të qëndrueshme dhe kishin reaguar kundër ndërhyrjes kaq të rëndë amerikane gjatë krizës së pandemisë.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Eliot Engel, ka adresuar kritika të mëdha drejt administratës Trump për shkak se e ka minuar fuqinë politike të një lideri të sapozgjedhur demokrat mu në kohën kur qeveria kishte nevojë të fokusohej në zhvillimin e politikave më efektive në përballje me emergjencën shëndetësore.
Në anën tjetër, shton tutje Foreign Policy, mbështetja amerikane për një votë mosbesimi dhe largimin e qeverisë së Albin Kurtit dhe e duke e lartësuar Thaçin njëkohësisht, duket se ka një arsye tjetër. Shqetësimi rritet edhe më shumë nga fakti se administrata e Trump mund të kërkojë ti vihet në mbrojtje Thaçit duke ndërhyrë në punën e Tribunalit Special i cili po heton krimet e UÇK-së të kryera pas luftës në Kosovë, dy dekada më parë. Kjo, sepse një raport i vitit 2011 nga Këshilli i Evropës e përfshinte Thaçin dhe një numër të ish eprorëve të lartë të UÇK-së në rrëmbimin e serbëve dhe torturimin e tyre nëpër kampe të fshehta paraburgimi në Shqipëri.
Ishin pikërisht këto akuza që e shtyen Brukselin zyrtar, mbështetur edhe nga Uashingtoni, që të krijojë Dhomat e Specializuara të Kosovës në udhëheqjen e Bashkimit Evropian. Thaçi dhe ish komandantët e UÇK-së mund të jenë subjekt i aktakuzave të këtij tribunali i cili prej kohësh ka mbështetjen amerikane.
Duke punuar në prapaskenat e largimit të Kurtit dhe duke e ridrejtuar mbështetjen e saj në drejtim të Thaçit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë sinjal që do ta mbështesin ripërtrierjen e elitës së vjetër politike, për të cilët pretendohet se janë të përshirë në abuzimin e të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrje në krim të organizuar.
Sipas Foreign Policy, ndikimi i SHBA-së në Kosovë daton që nga koha kur ajo udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s kundër spastrimit etnik të shqiptarëve nga ana e Serbisë dhe më pas duke mbrojtur edhe pavarësinë e Kosovës. Dhe këtë e ka bërë gjithnjë në bashkëpunim me shtetet evropiane. Edhe tani kur shtetet kryesore të BE, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë kundërshtuar rrëzimin e qeverisë Kurti duke i shprehur shqetësimet e tyre se mund të vijë deri te një destabilizim në Kosovë ndërkohë që epidemia e coronavirusit po del të jetë gjithnjë e më shqetësuese, gatishmëria e administratës së Trump për tu pozicionuar kundër partnerëve të saj evropianë, dëmton edhe më shumë një partneritet tashmë të tensionuar trans-Atlantik.
Vendosmëria e administratës së Trump për të parë Kurtin të larguar nga qeverisja mund të shpie në zvogëlimin e mbështetjes së Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara. Kosovarët e zakonshëm, të cilët deri më tani kanë qenë populli me pro-Amerikan në botë për shkak të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe përkrahjes së SH.B.A., në mbështetje të pavarësisë e tyre, mund ta rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për këtë vend pas kërcënimit të kësaj të fundit se do t’a ndërpresë një grant të sajin prej 49 milion dollarësh për Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit. Madje, disa anëtarë kongresi, aleatë të presidentit Trump kanë kërcënuar me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Në ndërkohë, shume kosovarë tashmë ndihen të lodhur duke e parë SHBA-të teksa mbështesin një klikë të korruptuar politike nga ish luftëtarët e udhëhequr nga Hashim Thaçi të cilët e kanë dominuar skenën politike në Kosovë që nga lufta porse kanë kontribuar shumë pak drejt një qeverisjeje më efektive. Kësisoji Administrata Trump rrezikon humbjen e një përkrahjeje të madhe që Shtetet e Bashkuara e kanë në Kosovë për më shumë se dy dekada, thotë Foreign Policy.
Ndërhyrja e fundit politike në Kosovë e nxitur nga një njeri i besueseshëm i presidentit Trump, Richard Grenell, përvoja e të cilit në rajonin ballkanit konsiderohet pothuajse minimale dhe i cili po bën një politikë të jashtme afatshkurtër po shihet si një potez vetëm sa për të kënaqur kapriçot dhe vetëfiksimin e shefit të tij, Donald Trump.
Anëtarë të politikës së jashtme si dhe vëzhgues të shquar e me ndikim thonë se qëllimi i Grenellit është të kryejë një “veprim të brendshëm politik” të tillë çfarë e kishte bërë në Ukrainë e për të cilën presidenti Trump ishte gjykuar (impeached), duke e mënjanuar Albin Kurtin të zgjedhur në mënyrë demokratike me qëllim që të përshpejtohet mundësia e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhe duke i siguruar në këtë mënyrë një fitore të madhe politikës së jashtme të presidentit Trump para zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor atje.
Në rrethana normale, kjo do të konsiderohej si një veprim nudo politik, mirëpo përpjekja për të arritur në një marrëveshje paqësore me çdo kusht gjatë një pandemie vë në rrezik shëndetin publik dhe politik të një vendi për të cilin Uashingtoni ka punuar shumë për ta krijuar”, përfundon artikullin e saj Foreign Policy.