Megjithëse kryeministri Isa Mustafa vazhdon të thotë se eskorta e tij nuk është penguar nga serbët e Kosovës gjatë vizitës së tij në pjesën veriore të vendit, një gjë e tillë është demantuar nga Policia e Kosovës.
Në raportin e punës së policisë thuhet se në fshatin Rudarë i Madh, Komuna e Zveçanit, rreth 200 qytetarë kanë bllokuar rrugën në dy drejtime “në shenjë pakënaqësie me ardhen e Kryeministrit të Kosovës.”
“Rreth orës 14:55 protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe rruga është zhbllokuar. Nuk raportohet për ndonjë incident”, thuhet në raportin e Policisë.
Delegacioni i Qeverisë së Kosovës por edhe komandanti i KFOR-it, janë detyruar të gjejnë rrugë alternative për të marrë pjesë në inaugurimin e një ure që lidh Leposaviqin me Zveçanin, meqë banorë serbë kanë bllokuar magjistralen përmes një kamioni të parkuar në mes të rrugës.
Ata kanë kaluar nëpër disa fshatra shqiptare ndërsa serbët kanë vazhduar të qëndrojnë në mes të rrugës.
Por, menjëherë pas vizitës, kryeministri Mustafa mohoi se është penguar gjatë rrugës.
“Ne kemi shkuar rrugës dhe neve askush nuk na e ka bllokuar rrugën. Kemi arritur atje me kohë dhe është një argument që neve askush nuk mund të na ndal të qarkullojmë në vendin tonë”, ka thënë para gazetarëve kryeministri, kur është pyetur për vizitën e tij në veri.
Edhe sot, kryeministri ripërsëriti se nuk është penguar gjatë kësaj vizite. Por ai pranoi se është vonuar rreth 15 minuta në ceremoni.
“Nuk e kam shprehi të vonohem. Nuk jam vonuar në orë me studentë, nuk vonohem në punë dhe nuk vonohem në mbledhje të Qeverisë. Për hirë të vërtetës dua ti sqaroj opinionit se ftesa për hapjen e urës nga KFOR-i ka qenë për orën 14:00. Unë kam arritur ndërmjet orës 14:10 ose 14:15 min. Ceremonia ka përfunduar në ora 14:45, prandaj kam arritur në Drenas në ora 16:30”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
“Të gjitha pretendimet se jam penguar dhe se kam arritur me një orë e gjysëm ose dy orë vonesë janë të pavërteta. Më vjen keq që duhet të merrem me këto gjera,” ka shtuar Mustafa./Insajderi.com