Bota është në rrezik nga uria e cila është përhapur “me përmasa të jashtëzakonshme”, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara.
David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), tha se veprime urgjente janë të nevojshme për të shmangur një katastrofë.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë një konference me video, Beasley tha se bota duhej të “vepronte me mençuri dhe të vepronte shpejt”.
“Ne mund të përballemi me vdekje të shumta brenda disa muajve”, tha ai.
“E vërteta është se ne nuk kemi kohën në favorin tonë.”
Në një thirrje për veprim urgjent, ai shtoi: “Unë besoj se me ekspertizën tonë dhe partneritetet tona, ne mund të bashkojmë ekipet dhe programet e nevojshme për të siguruar që pandemia e Covid-19 të mos bëhet një katastrofë e krizës njerëzore dhe ushqimore.”
Ekonomisti i vjetër i WFP, Arif Husain, tha se ndikimi ekonomik i pandemisë ishte potencialisht katastrofik për miliona persona “të cilët tashmë janë të varur nga një fije peri”.
“Ne duhet të veprojmë kolektivisht tani për të lehtësuar ndikimin e kësaj katastrofe globale”, tha Husain.
Një raport vlerëson se numri i personave në botë që vuajnë nga uria pothuajse mund të dyfishohet nga 135 milionë në më shumë se 250 milionë.
Vendet më të rrezikuara janë 10 vende të prekura nga konflikti, kriza ekonomike dhe ndryshimi i klimës, thotë WFP.
Raporti i katërt vjetor global mbi krizat ushqimore veçon Jemenin, Republikën Demokratike të Kongos, Afganistanin, Venezuelën, Etiopinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Nigerinë dhe Haitin.
Në Sudanin e Jugut, 61% e popullatës u prek nga kriza e ushqimit vitin e kaluar, thuhet në raport.
Edhe para goditjes nga pandemia, pjesë të Afrikës Lindore dhe Azisë së Jugut tashmë ishin përballur me mungesa të mëdha ushqimore.
BURIMI: BBC