Stavileci: Serbia ka kthyer 11 maune nga Kosova

Janë 11 maune të Kosovës që të martën kanë hasur pengesa në doganë ku janë ndaluar për disa orë që të hyjnë në Serbi.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Dje në Pikën e Kalimit Kufitar me Serbinë, nga ora 12:45 deri ne ora 18:00, nga pala serbe janë të kthyera gjithsej 11 maune (1 me targa shqiptare, 8 me targa serbe dhe 2 me targa kosovare), ku prej tyre 9 të zbrazëta, 1 me mall nga Kosova për destinim Serbinë dhe 1 transit me mall nga Shqipëria destinim Serbinë”, tha Stavileci.

Sipas tij, arsyeja e kthimit është se të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në territorin serb duhet të lajmërohen në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

“Arsyeja e kthimit sipas informacionit të pranuar nga pala serbe dhe vozitësit, ata kanë marr një urdhëresë që prej atij momenti të gjithë kamionët që hyjnë në Serbi nga Kosova, paraprakisht duhet të lajmërohen në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, pastaj ata do t’ua dërgojnë listën dhe do të lejohen të hyjnë në Serbi. Ndërsa lejohen të hyjnë në Serbi vetëm ata kamion që janë në listën që ata e posedojnë. Kjo ka zgjatur disa orë dhe më pastaj është stabilizuar qarkullimi”, shtoi ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, këtë veprim të autoriteteve serbe e ka quajtur çnjerëzor dhe shkelje të marrëveshjes për ta luftuar pandeminë e COVID-19.

“Është një veprim i paprecedentë që gjatë pandemisë, autoritetet serbe kanë bllokuar të gjithë transportuesit e mallrave (operatorët e transportit) që vijnë nga Kosova. Kjo është çnjerëzore dhe një shkelje flagrante e marrëveshjes rajonale për korridoret e gjelbërta për ta luftuar COVID-19, për të cilën janë pajtuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, kishte reaguar Abdixhiku.

Trupi udhëheqës i Marrëveshjes për Tregti të Lirë ka përgatitur një listë të mallrave që konsiderohen të domosdoshme për të gjitha vendet e prekura nga COVID-19.

Kjo pajtueshmëri e arritur nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka nisur së zbatuari nga 13 prilli këtij viti.

Me këtë marrëveshje parashihet krijimi i një “korridori të gjelbër” për të lehtësuar transportin e mallrave në fjalë. /Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme