Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare ka ratifikuar Marrëveshjen e bashkëpunimit financiar dhe ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe protokollin zbatues në lidhje me asistencën financiare mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes dhe protokollit në fjalë u miratua me 96 vota pro, 2 kundër, 2 abstenim, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, marrëveshja dhe protokolli për asistencën financiare është propozuar dhe nënshkruar në kuadër të bashkëpunimit e të miqësisë me Republikën e Turqisë, si dhe me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore dhe për të kontribuar në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Marrëveshja e bashkëpunimit ka për qëllim përcaktimin e parimeve në lidhje me dhënien e ndihmës financiare që duhet të alokohet në disa vite, me qëllim blerjen e mallrave dhe shërbimeve për qëllime ushtarake, mundësisht nga firmat dhe shoqëritë vendase që janë pjesë 100 për qind e prodhimit të brendshëm, kryesisht në Turqi.
Ndërsa protokolli i implementimit ka për qëllim vendosjen e parimeve të zbatimit të asistencës financiare që do t’i alokohen nga Republika e Turqisë, Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, brenda kuadrit të ligjeve të brendshme dhe pjesëve të buxhetit vjetor të Turqisë të shtrirë në vite.
Marrëveshja dhe protokolli janë nënshkruar nga ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, më 6 shtator 2019 në Tiranë dhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, më 11 nëntor 2019 në Ankara.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti mes Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar edhe plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për vitin 2020, me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Institucionet turke ofrojnë ndihmë të vazhdueshme për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke kontribuar edhe në logjistikën ushtarake.