LDK-ja, masha e Thaçit

Shkruan: Flaka Surroi

Plani i Thaçit, të cilin e kisha përmendur në zgafellën e shkuar, nisi të realizohej. Në cilësinë e interpretuesit  psikologjik/juridik/antropologjik/kushtetues/dhe çfarë tjetër jua ka ënda, Thaçi “me keqardhje konstatoi se me veprimet e tij Kurti nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë” dhe për pasojë nisi konsultimet me partitë e tjera politike parlamentare.

Takimi me partitë ishte një seancë deklaratash që mbaruan me pyetje për portale: “A jeni për zgjedhje, a për qeveri të re”, thuajse të mbledhurit duheshin vendosur nëse do të hanin qebapa a dyner. E meqë shumica tha “qeveri të re”, Thaçi vendosi që t’i qaset LDK-së dhe që nga ajo të kërkojë caktimin e mandatarit të ri. Se a i shkroi letër Isa Mustafës apo jo, ende nuk e kemi të qartë, ngase letra nuk u bë publike. E besoj se po t’ia kishte nisur edhe një letër Kurtit, do ta publikonte ende pa dalë komunikata nga zyra e tij.

Cirku në LDK

Pas hajgares me votimin e Këshillit të Përgjithshëm në lidhje me koalicionin e ardhshëm, pra votë me email ku i jepej përkrahja Mustafës për të negociuar formimin e qeverisë së re eventuale, u shkua tutje me një mbledhje të Kryesisë në të cilën nuk është ftuar nënkryetarja dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Kryesia u ul për të vendosur se kë, “nga shumë kandidatët që ka LDK-ja”, ta emëronte mandatar të ardhshëm. Mes Lutfi Hazirit, Kujtim Shalës dhe Avdullah Hotit fitoi ky i fundit. Kandidati i dështuar për kryeministër në zgjedhjet e 2017-s dhe i pesti me vota nga LDK-ja në zgjedhjet e fundit. Sa për krahasim, kur ky garoi si bartës i listës, i fitoi 115.693 vota, kurse Vjosa Osmani, me numrin rendor 81, i fitoi 64.147 vota. Në zgjedhjet e fundit bartësja e listës, Vjosa Osmani, i fitoi 176.016 vota, kurse Avdullah Hoti, me numrin rendor 3, i fitoi 26.094 vota.

Por natyrisht, një detaj kaq trivial si ky i votave, për LDK-në nuk ka asnjë rëndësi të vetme. Për shkak se me këto veprimet e fundit tashmë i doli boja krejt, siç do të thoshin në popull. Dhe kjo ngjyrë e rënë e zbulon një LDK cullak: mashtruese, joparimore, skajshmërisht oportuniste dhe përfundimisht bashkëpërgjegjëse jo e vogël për gjendjen në të cilën është aktualisht Kosova.

Me veprimet e fundit, LDK-ja ka dëshmuar se asnjëri vendim që kishte të bënte me qeverisjen në Kosovë në këto dy dekadat e fundit nuk kishte qenë i rastësishëm, dhe se në fakt kishte qenë pasojë e ndjekjes së interesave personale apo grupore të atyre që u bënë me pushtet, dhe e udhëhoqën keq këtë vend.

Për më tepër, atë që e dëshmoi kjo garniturë e udhëheqjes së LDK-së, që nuk duket të ketë ndryshuar shumë nga e kaluara, posaçërisht sa i përket mendësisë, është një naivitet i skajshëm dhe tendencë, të vullnetshme ose jo, për t’u bërë mashë edhe për një përdorim të Hashim Thaçit.

Cirku vazhdon tutje. Pas votimit të parë vijon ai i dyti, ku Këshilli i Përgjithshëm do të votojë sërish me emaila për të treguar nëse pajtohen anëtarët e saj që Avdullah Hoti të jetë mandatari i Qeverisë së re eventuale.

Skenari me disa skenaristë

Për të kuptuar më mirë këtë që po ndodh sot duhet kthyer te fushata zgjedhore para 6 tetorit.

Refuzimi këmbëngulës i krijimit të koalicionit parazgjedhor me VV-në paska qenë i qëllimshëm. Kalkulimi do të ketë qenë se LDK-ja fiton, e më pas e zgjedh këdo për të krijuar koalicion. Postin e kryeparlamentarit do të mund ta shiste për vota përderisa do ta mbante postin e kryeministres dhe, natyrisht, do ta synonte atë të kryetarit të shtetit (në perspektivë). Dhe kjo, pasi që e gjithë fushata u zhvillua në luftë verbale kundër shtetit të kapur (të cilit edhe vetë shumë i ka kontribuuar) dhe keqqeverisjes së PAN-istëve. Vetë fushata po tregon se e gjitha paska qenë rrenë, sepse frika kryesore, me gjasë, del të jetë mu lufta kundër krimit, korrupsionit dhe shtetit nën kthetrat e së keqes.

Rezultati i zgjedhjeve nuk ua dha opsionin e pretenduar. Ua dha mundësinë për ta larë veten nga gjynahet që i kishte bërë në të shkuarën, duke u lidhur me një parti të papërvojë në qeverisje dhe për pasojë edhe të paspërkatur me njollat e korrupsionit.

Certifikimi ndodhi më 27 nëntor 2019, dhe deri më 3 shkurt 2020 nuk pati Qeveri në vend. Duke e pritur LDK-në, VV-ja, pas konstituimit të Kuvendit e zgjodhi Glauk Konjufcën kryeparlamentar edhe me votat e LDK-së. Për shkak se LDK-ja refuzonte ta nënshkruante marrëveshjen e koalicionit pa e pasur të prerë premtimin se posti i kryetarit të shtetit do t’i takonte LDK-së. Se përse e votuan, një zot e di.

Më në fund u morën vesh, përfshirë edhe emërimin e Agim Veliut ministër të Brendshëm, edhe pse ai kishte qenë më i zëshmi në kundërshtimin e koalicionit që nga dita e parë. Përderisa u bë zëvendësimi i Konjufcës me Osmanin, çështja e kryetarit u la të diskutohej kur t’i vinte radha.
Arsyetime që s’i ha pazari

Pesëdhjetë ditë më vonë, Qeverinë e rrëzoi vetë LDK-ja. Arsyet: taksa dhe antiamerikanizmi i pretenduar i VV-së. Asnjëra nga to njëmend të besueshme, por pjesë e një orkestrimi të ngjarjeve në të cilat LDK-ja iu ofrua Thaçit si patericë, edhe një herë. Me qëllim të qartë: marrjen e Qeverisë nën kontroll, për shkak se ajo që po e bënte Qeveria me mandat të plotë dhe më pas ajo në detyrë po tregohej shumë e rrezikshme për interesat e njerëzve të caktuar në LDK.

Dhe kjo dëshmohej më së lehti me një shembull shumë të thjeshtë: shkarkimi i bordeve lëvizte ngadalë. E më së ngadalshmi në Telekomin e Kosovës, ku Avdullah Hoti i kishte emëruar dy anëtarë bordi, që nuk donin ta shkarkonin menaxhmentin. U desh të ndryshohej përbërja e Bordit të përkohshëm që kjo punë të ndodhte mbrëmë. Pas shumë kohësh, ndërmarrjet publike u liruan, së paku përkohësisht, nga njerëz shumë të afërt me pushtetet që e kanë dërrmuar Kosovën deri në palcë.

E për t’u kthyer te çështja e arsyeve për rënien e Qeverisë, nuk bën pa e përmendur taksën e famshme. Kur kishin lidhur marrëveshjen e koalicionit, VV-ja dhe LDK-ja ishin marrë vesh që taksa do të hiqej gradualisht për t’u zëvendësuar me masat e reciprocitetit. Kjo edhe ndodhi. Grenelli tha të hiqet edhe reciprociteti, Kurti tha jo, LDK-ja e shpalli Kurtin antiamerikan. Për shkak se e respektoi marrëveshjen e ndërsjellë.

Kurse tash, në ditët e fundit, Kuvendi po shërben si seli e negociatave për formimin e Qeverisë eventuale me AAK-në, partinë e cila ka insistuar që nga 2018-a që taksa ndaj Serbisë të mos hiqej fare. Taksë të cilën shefi i kësaj partie kishte refuzuar ta hiqte pavarësisht kërkesave të amerikanëve derisa nuk i përfundoi mandati. Si bëhet që një antiamerikan si Haradinaj (sipas definicionit që iu aplikua Kurtit) tash të bëhet pjesë e qeverisë së re?

E për të mos e lënë me kaq, si bëhet që dy nga partitë e PAN-it, aq shumë të kritikuara nga LDK-ja për krim e korrupsion, tash të bëhen aq të pastra, sa për ta formuar bashkë me ta një qeveri të re eventuale.

Çmimi për t’u paguar

E gjithë fizkultura e Thaçit për ta hequr Kurtin dhe VV-në nga pushteti po mbështetet mbi interpretimin e lirë që ky ia bën Kushtetutës, përderisa e fiton përkrahjen e mashës së vet për ta shtyrë deri në fund.

Është edhe më e pakuptimtë sjella e një partie “institucionaliste” dhe “parimore” duke e ditur se Aktgjykimi i Kushtetueses e la Mustafën pa u bërë kryeparlamentar më 2014, dhe nuk ua lejoi partive që mund t’i mblidhnin 61 vota, pavarësisht fituesit, që ta formonin qeverinë. Ishte mu ai aktgjykim, paradoksalisht, që ia hapi rrugën Isa Mustafës që të bëhej kryeministër, me gjithë faktin se aktgjykimi u kritikua për shkak të nonsensit që e përmbante. Por aktgjykimi u bë normë, dhe duhej respektuar.

Gjashtë vjet më vonë, i vjen radha zbatimit të aktgjykimit sërish, porse tash i jepet një interpretim i kundërt. Dhe sërish po i jepet rasti mashës LDK që të bëhet me postin e kryeministrit, duke vepruar kësaj radhe në kundërshtim me atë që shkruan në Aktgjykim.

Porse krejt lëvizjet e javës së fundit duken aq të koordinuara, saqë mund të lënë përshtypjen se tashmë puna në Kushtetuese ka përfunduar, dhe se prej aty do të dalë një vendim që do ta përligjë krejt këtë shfaqje nën regjinë e Thaçit. Uroj ta kem gabim.

Se cili do të jetë çmimi që do ta paguajmë? Mund ta imagjinojmë. Do të ketë rritje të dikastereve në Qeveri, për shkak se tash duhet akomoduar tri parti, dhe krejt minoritetet (këta si zëvendësministra). Gjithashtu duhet dhënë pushtet këtyre partive, prandaj do të ketë nja pesë zëvendëskryeministra. Ministrive do t’u kthehen koordinatorët dhe këshilltarët, dhe Kosova do të kthehet pak a shumë në pikën ku ka qenë para datës 3 shkurt.

Porse ajo që po më intereson shumë është se çfarë do të ndodhë me postin e kryetarit të shtetit që aq për qejfi e kishte LDK-ja në kohën e negociatave me VV-në. Po qe se Kushtetuesja vendos se krejt kjo çka po ndodh ka bazë kushtetuese, atëherë kjo qeveri eventuale nuk do të mbijetojë përtej prillit të ardhshëm, sepse aq kohë i nevojitet Thaçit për t’u rizgjedhur kryetar shteti, dhe për ta rrëzuar LDK-në nga “froni”, sikur kishte bërë më 2017-n.
Për një parti që ka aq përvojë të gjatë që nga themelimi, po më duket shumë vështirë e kuptueshme që mund të veprojë në formë kaq të papërgjegjshme dhe naive. Pos nëse interesat klanore e grupore përbrenda janë aq të mëdha, saqë të interesuarit nuk çajnë kokën se pse e marrin elektoratin e tyre në qafë.

Hoti ka premtuar heqjen e menjëhershme të reciprocitetit për ta dëshmuar amerikanizmin e vet dhe të LDK-së. Pyetem, a thua ai së bashku me shokët në LDK do t’i binden propozimit të Trumpit për t’ia injektuar vetes ca varikinë për t’i shpëtuar virusit dhe kështu për të vërtetuar se amerikanizmi në Kosovë e ka adresën në LDK.

Është për të ardhur keq që, sidomos në kohë pandemie, LDK-ja të zgjedhë të dëshmojë se ka kapacitet të pafund për t’u bërë pjesë e skemave politike që kundërmojnë. Në emër të rugovizmit, institucionalizmit, amerikanizmit. Tash duhet shtuar edhe thaçizmit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme