AlternAtivA: Propozim-masa për ta shpëtuar arsimin

Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar si pasojë e korona-virusit Covid 19 ka bërë që nga 11 marsi 2020 të gjitha institucionet edukativo-arsimore të mbyllen dhe veprimtaria edukativo-arsimore të zhvillohet, aq sa mundet, nga shtëpia nëpërmjet platformave on-line. Megjithatë, sistemi arsimor, duke filluar nga ai fillor, i mesëm ose edhe i lartë, nuk arrin t’i përmbushë në tërësi planifikimet mësimore dhe nxënësit nuk arrijnë t’i fitojnë njohuritë e duhura dhe të parapara sipas programeve lëndore.

Sipas kësaj, gjysmëvjetori i dytë, në shkollat fillore dhe të mesme, ose semestri veror, në universitete, nuk do të arrijë ta përmbushë realizimin e plotë të programeve të parapara mësimore ose studimore. Edhe pse Qeveria e Maqedonisë së Veriut, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka paraparë disa masa që nënkuptojnë realizimin e mësimit në distancë (mësimi on-line), siç duket, kjo nuk arrin t’i përmbushë të gjitha kërkesat dhe nevojat që i kanë nxënësit për vjeljen e njohurive në nivelet e ndryshme të arsimimit. Pompoziteti i madh, që i bënte ministri i Arsimit mësimit në distancë dhe platformës elektronike që e promovonte Ministria, nuk arriti të vendoset në funksion të plotë. Qoftë për shkak të mungesës së qasjes në internet, mungesës së pajisjeve adekuate elektronike, mungesës së kuadrit arsimor të trajnuar për realizimin mësimdhënies në formë të tillë, mungesës së idesë se si do të realizohet kontrolli i njohurive të nxënësve dhe, përfundimisht, edhe për shkak të mungesës së mënyrës së vlerësimit të arritjeve të nxënësve, mund të thuhet se kjo gjendje e jashtëzakonshme e ka gjetur plotësisht të papërgatitur Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe për shkak të kësaj dobësie mund të thuhet se ky vit shkollor ose akademik do të mbetet vit me shumë zbrazëti në vjeljen e njohurive nga ana e nxënësve, përkatësisht studentëve.

Të shqetësuar lidhur me zhvillimet në fushë të arsimit të krijuara si rrjedhojë e gjendjes së jashtëzakonshme dhe neglizhencës ose paaftësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ta menaxhuar këtë situatë, AlternAtivA i propozon disa masa konkrete për ciklet e ndryshme arsimore.

Meqë në arsimin fillor veçanërisht shqetësuese është klasa e nëntë, kur përfundon cikli i arsimit fillor, propozojmë që MASH-i, bashkë me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrën e Testimeve, të angazhojnë mësimdhënës e profesionistë që në mënyrë serioze do të përgatisin leksione, detyra dhe detyra të zgjidhura për lëndët e shkencave natyrore dhe ato t’u përcillen nxënësve në formë elektronike nga ana e mësimdhënësve;
Të gjitha klasat e tjera të arsimit fillor, që do të vazhdojnë në të njëjtin cikël arsimor dhe në të njëjtën shkollë, në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në periudhën e fillimvitit, së pari t’u rikthehen përmbajtjeve mësimore që janë realizuar gjatë kësaj periudhe ose që është dashur të realizohen dhe nuk janë realizuar;

Në arsimin e mesëm AlternAtivA i mbështet maturantët, të cilët – si rezultat i gjendjes së krijuar – kanë kërkuar që realizimi i provimit të maturës shtetërore për këtë vit shkollor të anulohet dhe ai të mos jetë pengesë për regjistrim në cilindo universitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut;
Të gjitha vitet e tjera të arsimit të mesëm, që do të vazhdojnë në të njëjtin cikël arsimor dhe në të njëjtën shkollë, në fillim të vitit të ardhshëm shkollor t’u rikthehen përmbajtjeve mësimore që janë realizuar gjatë kësaj periudhe dhe të realizohet kontrolli i njohurive për ta vlerësuar nëse nxënësit kanë arritur t’i përvetësojnë njohuritë e duhura;

Në ciklin e lartë të arsimit, ku universitet kanë një autonomi më të theksuar, të shqyrtohen të gjitha mundësitë për përmbushjen e objektivave arsimore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me aftësimin praktik (punën praktike) dhe punën laboratorike;
Për studentët që kanë qenë në semestrin e fundit propozojmë të ofrohet mundësia që ato t’u nënshtrohen provimeve dhe të mos krijohen pengesa që ata të mund t’i përfundojnë studimet ose edhe të diplomojnë;

Të gjithë ata studentë të cilët si rrjedhojë e gjendjes së krijuar nuk arrijnë t’i përmbushin kërkesat në dhënien e provimit dhe do të duhet ta riregjistrojnë lëndën e njëjtë në semestrin e ardhshëm, mos detyrohen të bëjnë pagesa shtesë ose të detyrohen ta paguajnë lëndën e njëjtë dy herë;
Nëse ndodh që situata me virusin korona fillon që të zgjidhet së shpejti, për të cilin urojmë që ndodhë, dhe krijohen kushte për të filluar institucionet arsimore me punë akoma pa përfunduar viti shkollor apo akademik, periudha që është humbur të kompensohet në vazhdim, gjatë muajit qershor.
AlternAtivA edhe me këtë rast rithekson se i mbështet punonjësit e arsimit në angazhimin dhe përpjekjet e tyre dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre ose të mos vlerësohet mundi i tyre. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së pagave të tyre edhe përskaj situatës së vështirë dhe kërkesave për solidarizim. Puna e tyre në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja është solidarizimi më i madh që i bëhet çdo shoqërie.

Shkup, 28 prill 2020

AlternAtivA – Shkup

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme