Duke filluar nga dita e premte, besimtarët myslimanë do të mund të falin namazin në xhami, duke zbatuar masat mbrojtëse të miratuara nga Bashkësia Islame e Serbisë.
Nga e premtja hyn në fuqi vendimi i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë për mënyrën e kryerjes së ritualeve fetare pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, me çka u hapën xhamitë në Serbi pas gati një muaji e gjysmë të mbyllura si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).
“Është miratuar që namazet ditore, të xhumasë dhe teravisë nëpër xhami dhe mesxhide, përveç imamëve dhe muezinëve, mund të kryhen nga një numër më i madh i anëtarëve të xhematit, varësisht nga kapaciteti i xhamisë, duke respektuar masën në fuqi të Qeverisë së Republikës së Serbisë për distancë fizike prej 2 metrash, me çka rekomandohet përdorimi i oborrit të xhamisë”, thuhet në një njoftim të Bashkësisë Islame.
Sipas vendimit të marrë në seancën e fundit, objektet e Bashkësisë Islame të Serbisë janë të detyruara të sigurojnë sasi të mjaftueshme të mjeteve të dezinfektimit. Me këtë, detyrohet vendosja e një barriere dezinfektimi në hyrje të xhamive, si dhe dezinfektues për duar.
Nga ana tjetër, besimtarët që vijnë në xhami këshillohen që të vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Anëtarët e xhematit që vijnë në xhami dhe mesxhide janë të detyruar të kryejnë ritualin e abdesit në shtëpitë e tyre, ata detyrohen të mbajnë pajisje themelore mbrojtëse siç janë maskat higjienike mbrojtëse për fytyrën dhe dorezat, si dhe të marrin sexhadet e tyre për kryerjen e namazit dhe në mënyrë rigoroze të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga personat zyrtarë të Bashkësisë Islame”, thuhet në njoftimin e Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë.
Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc pranë Bashkësisë Islame të Serbisë po ashtu njoftoi se nga e premtja fillon falja e namazeve në xhami, duke filluar me namazin e xhumasë, duke radhitur masat mbrojtëse të miratuara nga autoriteti fetar i Serbisë të cilat duhet të zbatohen brenda xhamive.