Pas zgjedhjeve të djeshme lokale në Drenas të cilat nuk caktuan kryetarin e kësaj komune, pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori 50 për qind të votave të nevojshme, KQZ caktoi datën e mbajtjes së balotazhit.
Raundi i dytë i zgjedhjeve në këtë komunë do të mbahet më 18 dhjetor. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, Valdete Daka kryetare e KQZ’së.
“Është vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që data 18 dhjetor të jetë dita e mbajtjes së zgjedhjeve në Drenas”, ka thënë Valdete Daka nga KQZ.
Në balotazh do të garojnë Ramiz Lladrovci i PDK-së dhe Isa Xhemajlaj i Nismës.
Kjo datë për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë sipas Dakës vie pasi fundi i muajit nënkupton shumë festa shtetërore dhe arsyeja tjetër është se ka interes për monitorimin e zgjedhjeve edhe nga ana e monitoruesve evropian.
“Me këtë vendim obligohet sekretariati i KQZ-së që të bëjë përgatitjet e nevojshme”, ka thënë Daka./GazetaExpress/