Shkup, reagime ndaj heqjes së shenjave në shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës

Qyteti i Shkupit ka hequr shenjat që simbolizonin vendin ku ndodhej shtëpia e lindjes së Nënë Terezës në sheshin qendror. Kjo ka nxitur reagimin e Institutit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore rë Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që kërkon kthimin sa më parë të këtyre shenjave, ndryshe do të njoftojë përfaqësitë diplomatike dhe Vatikanin.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kërkon nga komuna e Shkupit që të kthejë shenjat në sheshin e qytetit që simbolizonin themelet e shtëpisë në të cilën kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu, e shenjta Nëna Terezë.

Këto shenja ndodheshin mbi asfalt në një pjesë të sheshit kryesor në hyrje të qendrës tregtare të qytetit. Qyteti i Shkupit i hoqi ato gjatë një rinovimi që i bëri kësaj pjese të sheshit dhe pikërisht në vendin ku ndodheshin shenjat, bashkia mbolli bar. E gjithë kjo ndodhi gjatë izolimit nga pandemia e koronavirusit.

Drejtori i Institutit për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, Skender Hasani tha të enjten se ka pritur reflektimin e kryetarit të Komunës së Shkupit, Petre Shilegov lidhur me çështjen dhe pas shpërfilljes së tij, Instituti do të kërkojë mbështetjen e diplomacive perëndimore:

Ne jemi institucion shkencor dhe kulturor dhe detyra jonë është ta themi fjalën tonë përkitazi me këto figura të rëndësishme të historisë që dalin përtej kufijve tanë etnikë, urbanë e shtetërorë. Nëse nobelistja e vetme nga Shkupi, Nëna Terezë, nuk është një figurë me përmasa botërore që e nderon më shumë se askush tjetër Qytetin tonë dhe gjithë shtetin dhe një figurë që e kthen vëmendjen e gjithë botës drejt nesh, atëherë ne kemi problem serioz me atë se cili është standardi i vlerësimit të figurave të këtilla. Prandaj, e lus Kryetarin Shilegov të gjejë një zgjidhje, qoftë duke e kthyer atë në pronë publike, qoftë duke ndjekur procedurë gjyqësore ose duke gjetur mundësi të tjera. Kërkesat tona janë modeste: të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës ta reflektojë identitetin dygjuhësh të Kryeqytetit, të sanksionuar edhe me ligj. Ne prej sot do të fillojmë të kërkojmë përkrahje edhe nga faktorë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa do t’i drejtohemi me letër edhe kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut, që edhe ai të ndihmojë në mënyrën e tij për t’i ndërgjegjësuar autoritetet tona për rëndësinë e prezantimit të personalitetit të Nënës Terezë”, tha zoti Hasani.

Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela i u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana strukturave të mëparshme qeverisëse. Zoti Shilegov u tha gazetarëve se “ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”. Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”.

Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme