VV proteston para Gjykatës së Tiranës për protestuesit e arrestuar të Teatrit: Këtu do të jemi!

‘Boiken Abazi, i arrestuar politk”: Me të tilla parulla, Lëvizja Vetëvendosje po zhvillon një protestë para Gjykatës së Tiranës, ku pritet të jepet masa e sigurisë për protestuesit e arrestuar te Teatri Kombëtar.

I arrestuari më i spikatur është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi, i cili iu bashkua protestës kundër shembjes së Teatrit. Bashkë me të edheL Kastriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica, Edjon Xhoxhaj. Të gjithë të akuzuar për kundërshtim të policëve dhe grumbullim të paligjshëm.

“Shpresojmë që Gjykata të jetë sy hapur. Besojmë që do t’i lirojmë. Do jemi këtu deri në momentin që do të merret vendimi dhe do na ndiqni”, tha një përfaqësuese e Lëvizjes VV.

Më 18 maj, Policia e Shtetit njoftoi:

Forcat e Policisë së Shtetit, që prej orëve të para të mëngjesit të datës 17 maj 2020, me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, vijojnë të jenë në mbështetje të aksionit për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.

Gjatë kryerjes së detyrës, forcat e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga persona që ishin grumbulluar për të mos lejuar prishjen e godinës, duke tentuar që të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Disa persona nga radhët e tubuesve kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta dhe shkopinj, duke lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja”.

Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin “Nënë Tereza” dhe janë jashtë rrezikut për jetën.  Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë.

Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 7 shtetas: B. A., 38 vjeç; K. Q., 37 vjeç; S. N., 35 vjeç; R. L., 35 vjeç; E. M., 33 vjeç,  B. T., 30 vjeç; E. Xh., 33 vjeç.

U proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 21 shtetas.

Për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin normativ duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COIVD-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme