Të agjërosh në burgjet e diktaturës për 21 vite rresht. Kështu nis historia e trishtë e Hafiz Sabri Koçit, kryetari i parë i KMSH pas rënies së komunizmit, një prej besimtarëve myslimanë, i rritur jetim që luftoi me regjimin për të ruajtur dashurinë e tij për fenë.
Ai u burgos pikërisht për shkak të bindjeve të tij fetare, pasi regjimi i asaj kohe synonte të zhdukte ndërgjegjen fetare.
Mbesa e tij Jusri Koçi tregon përAbcnews.al se sakrifica në këtë kohë të vështirë ishte e dyfishtë, për shkak se agjëroi fshehurazi për 21 vjet, vetëm me një kokërr qepë në xhep dhe me një gotë kauçuku në të cilën zinte kos me qumështin që i jepnin kundër helmit.
Ai kishte gjetur një hapsirë bosh në mes të banjove, ku shkonte çdo ditë për t’u falur, larg syrit të gardianëve të burgut dhe shokëve të qelisë që prisnin të spiunonin dikë për të marrë një shpërblim.
I rritur jetim dhe në kushte të vështira ekonomike ai nisi të praktikonte fenë që moshë të re, ndërkohë që kur ishte vetëm 17-vjeç jepte mësime islame për fillestarët.
Ai doli nga burgu 65-vjeç, dhe u detyrua t’i përvishej punës së krahut për të mbajtur familjen.
“Gjeti një punë si punëtor krahu në lavatriçen e larjes së zhavorit në ndërmarrjen e parafabrikateve bujqësore, pas 20 vite pune krahu në burgje , ju përvesh sërish punës”, tregon Jusri.
Ajo e kujton shumë pak gjyshin e saj dhe do kishte dashur ta njihte edhe sot më e rritur, që të merrte prej tij sa më shumë nga dijet e pafundme që ai kishte gdhendur nga orët e pafundme të leximit.
Në memorien e saj kanë mbetur mëngjeset e hershme kur e gjithë familja ngrihej për të ngrënë syfyr, dhe gjyshi gjallëronte tavolinën me historinë e tij.
Sot e gjithë familja ka trashëguar besimin dhe dashurinë e tij për fenë, duke agjëruar së bashku në muajin e Shenjtë të Ramazanit.